Vatikani merr vendimin, largon nga kisha drejtuesit dhe disa ndjekës të sektit katolik global
Një turist britanik është arrestuar në Bali pasi dyshohet se sulmoi një shofer taksie, duke shkaktuar zemërimin e dhjetëra vendasve të cilët e ndoqën dhe e rrahën me armë të improvizuara përpara se policia të ndërhynte për të rivendosur rendin.
Sipas gazetës Daily Mail, një incident i dhunshëm ndodhi të enjten në mëngjes në një parking në zonën e Bandungut, Bali, me protagonist 30-vjeçarin britanik Brandon Joseph. Sipas raportimeve, Joseph sulmoi pa ndonjë provokim shoferin 31-vjeçar Herlindo Emmanuel Nino, pasi ky i ofroi një udhëtim, duke vërejtur se turisti dukej “i hutuar” sapo kishte dalë nga një furgon i bardhë.
Dyshohet se Nino e pyeti Josephin pse e kishte goditur, por britaniku e sulmoi përsëri pa asnjë paralajmërim, duke e goditur rëndë dhe duke i shkaktuar lëndime serioze. “Autori e goditi viktimën në buzë derisa i thyen dhëmbët e përparmë”, deklaroi një zëdhënës i policisë për agjencinë e lajmeve detikBali.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë Ninon, i veshur me një bluzë të kuqe dhe me gjak në fytyrë, duke qëndruar duarkryq, ndërsa shoferë të tjerë të taksive lokale sulmuan Josephin, i cili ishte gjysmë i zhveshur dhe kishte veshur vetëm një palë pantallona të shkurtra të zeza. Në rrëmujë, një burrë tjetër me këmishë të grisur u përpoq të largohej nga vendi, ndërsa Joseph, pasi u përball me turmën, vrapoi drejt furgonit të bardhë, të cilin vendasit filluan ta gjuanin me gurë.
Pak më vonë, në vendngjarje mbërriti policia dhe arrestoi Josephin. Ai u dërgua fillimisht në Spitalin Bali Jimbaran për një vlerësim mjekësor, përpara se të shoqërohej në stacionin e policisë për t’u marrë në pyetje.
Autoritetet po hetojnë ende rrethanat e ngjarjes. Fotografi të publikuara nga vendngjarja tregojnë Josephin me një fashë në kokë jashtë stacionit të policisë. Sipas informacioneve, britaniku banonte në Canggu, një zonë bregdetare e njohur në Bali për vijën e saj të bukur bregdetare dhe jetën e gjallë turistike.
Top Channel