
Një gjykatë në Itali ka hedhur poshtë një kërkesë nga pasardhësit e mbretit të fundit të vendit për të kërkuar xhevahiret e kurorës.
Siç theksoi gjyqtari, thesaret kombëtare mbeten pronë e shtetit, ndërsa e përshkroi kërkesën si “qartësisht të pabazuar”.
Në shkurt të vitit 2022, pasardhësit e monarkut të fundit të Italisë paditën shtetin italian për bizhuteritë, të cilat kanë qenë në një kasafortë në Bankën e Italisë që nga viti 1946.
Pasardhësit e Mbretit Umberto II të Savojës nuk kanë arritur të bëjnë një marrëveshje me Bankën për kthimin e bizhuterive, të cilat përfshijnë më shumë se 6,000 diamante dhe 2,000 perla në brosha, gjerdanë dhe diadema të veshura nga princeshat dhe mbretëreshat gjatë jetës 85-vjeçare të monarkisë italiane.
Vlera e tyre vlerësohet në 300 milionë euro, raporton The Guardian.
Umberto i kishte kërkuar ministrit të atëhershëm të shtëpisë mbretërore që t’ia transferonte bizhuteritë guvernatorit të atëhershëm të Bankës së Italisë për ruajtje.
Bizhuteritë thuhet se kanë qenë e vetmja pjesë e pasurisë mbretërore që nuk u konfiskua nga shteti italian pas heqjes së monarkisë në vitin 1946. Për këtë arsye, ish-familja mbretërore shpresonte t’i rimerrte në zotërim këto diamante.
Pas vendimit, avokati i pasardhësve të mbretit njoftoi se ata do të apelonin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa i kërkonte shtetit italian t’u kthente vlerën e të gjitha pronave që dikur i përkisnin mbretit të fundit të Italisë.
Top Channel