Begaj pret në takim Presidentin e KiE-së: Shqipëria do të vijojë të luajë rolin si urë lidhëse midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës

15/05/2025 22:02

Presidenti i Republikës takoi këtë pasdite Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, që mbërriti në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komitetit Politik Evropian në Shqipëri.

Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria është thellësisht mirënjohëse ndaj Këshillit Evropian për mbështetjen në vijueshmëri të politikave të zgjerimit të BE-së.

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së vjen natyrshëm nga zgjedhja jonë historike, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Për më shumë se tri dekada, populli shqiptar mbështet në mënyrë të palëkundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e parë këtë si konsolidim të demokracisë, zhvillim ekonomik të mëtejshëm dhe stabilitet rajonal.

Shqipëria është e dedikuar në mbështetje dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë këtu të drejtat e minoriteteve, demokracisë dhe sundimin e ligjit. Ne besojmë fort se Bashkimi Evropian mbetet mjeti më efektiv gjeopolitik për të adresuar sfidat e sigurisë, pasiguritë dhe sfidat ndaj paqes dhe stabilitetit, vijoi njoftimi për shtyp.

Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj si lehtësuese e dialogut dhe urë lidhëse midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës, duke qenë shtyllë mbështetëse për përballimin e sfidave gjeopolitike.

Top Channel