Trump shpreh gatishmëri të marrë pjesë në bisedimet Rusi-Ukrainë në Turqi, REL: Joshje për Putinin

14/05/2025 19:04

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur sërish gatishmëri për t’u ndaluar në Turqi gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, nëse kjo do ta bindte homologun e tij rus, Vladimir Putin, të marrë pjesë në bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kievit dhe Moskës – për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të udhëtojë më 15 maj në Turqi për t’u takuar ballë për ballë me Putinin, pasi ky i fundit bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta – por pa e sqaruar nëse do ta takojë Zelenskyn personalisht.

Megjithatë, kur ka mbetur më pak se një ditë deri te data e caktuar për takimin, Putin ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ndërsa Zelensky ka thënë se do të takohet vetëm me liderin rus, jo me një delegacion zyrtarësh nga Moska.

Mediat ruse kanë raportuar se delegacioni do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

“Nuk e di nëse ai [Putin] do të jetë atje nëse unë nuk jam”, u tha Trump gazetarëve nga bordi i Air Force One, duke fluturuar nga Arabia Saudite drejt Katarit më 14 maj.

“E di që ai do të donte që unë të isha atje, dhe ka mundësi të ndodhë. Nëse mund ta ndalim luftën, do ta merrja seriozisht këtë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 14 maj se oferta për bisedime mbetet në fuqi, por se përbërja e delegacionit rus do të bëhet e ditur vetëm pasi Putin “ta japë urdhrin”.

“Delegacioni rus do të presë delegacionin ukrainas në Stamboll”, tha Peskov.

Zelensky ka të planifikuar një takim në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, por ka thënë se, nëse Putin vendos të vijë në Stamboll, ata mund të takohen atje.

Politologia e pavarur ruse, Natalia Shavshukova, i tha televizionit Current Time se motivimi i vërtetë i Putinit është që të takohet drejtpërdrejt me Trumpin, gjë që e bën të mundshme udhëtimin e tij në Turqi.

“Interesi i vetëm i Putinit është një takim i drejtpërdrejtë me Trumpin… Ukraina është bërë një justifikim për këtë takim mes dy liderëve”, tha Shavshukova, duke shtuar se Putin aktualisht nuk duket i interesuar për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, deklaroi se nëse Putin nuk paraqitet më 15 maj në Turqi, kjo do të jetë shenjë se “Moska nuk dëshiron paqe dhe nuk është gati për negociata serioze.”

“Nuk i besojmë Rusisë… Por duam t’i japim fund këtij konflikti dhe jemi të gatshëm të pranojmë çdo format negociatash”, tha Yermak.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tashmë ka mbërritur në Antalia të Turqisë, ku sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të kryesojë një takim joformal të ministrave të jashtëm të aleancës ushtarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të jetë gjithashtu në Turqi për këtë takim, së bashku me të dërguarit e lartë amerikanë, Steve Ëitkoff dhe Keith Kellogg, të cilët pritet t’i bashkohen bisedimeve për paqe në Stamboll.

Më herët, më 15 maj, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se Sybiha i kishte kërkuar homologut të tij brazilian, Mauro Vieira, të pyesë Putinin nëse është i gatshëm të arrijë një marrëveshje paqeje.

“Do të përpiqem të flas me Putinin”, tha Lula në një konferencë për media gjatë vizitës në Kinë, duke shtuar se mund të ndalet në Moskë nëse është e nevojshme.

“Nuk më kushton asgjë të them: ‘Hej, shoku Putin, shko në Stamboll dhe negocio’”, tha ai.

Javën e kaluar, Trump kërkoi që Ukraina të fillojë “menjëherë” bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, duke anashkaluar kërkesën e Kievit për armëpushim si parakusht për negociata.

Trump kishte premtuar se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve pasi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Por, ky objektiv ka mbetur i paarritshëm që nga marrja e detyrës më 20 janar. Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë sulme të shumta me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës javët e fundit, ndërsa presioni për armëpushim vazhdon./REL

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta