
Pas më shumë se tre dekadash burg, vëllezërit Lyle dhe Erik Menendez mund të kenë së shpejti një mundësi për liri me kusht.
Gjykatësi Michael Jesic i Van Nuys, në Los Angeles, vendosi se dy vëllezërit, të dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit për vrasjen e prindërve të tyre në vitin 1989, kanë të drejtë të përfitojnë nga një rishikim i dënimit.
Vendimi historik u mor në bazë të një ligji të Kalifornisë të miratuar në vitin 2018, i cili parashikon mundësinë e rishikimit të dënimeve për të dënuarit që kanë kryer krime të rënda përpara moshës 26-vjeçare. Në kohën kur ndodhi ngjarja tragjike, Lyle ishte 21 vjeç dhe Erik vetëm 18.
Një vendim që mund të hapë dyert e burgut pas 35 vitesh
Pas një seance dëgjimore që zgjati afro tetë orë, gjykatësi Jesic vendosi që dënimi i përjetshëm pa lirim me kusht do të konvertohet në 50 vjet burg me mundësinë e lirimit me kusht. Kjo i jep mundësi vëllezërve të paraqiten së shpejti para një komisioni të posaçëm, i cili do të vendosë nëse ata mund të lirohen nga burgu i sigurisë së lartë në San Diego, ku janë mbajtur që prej dënimit.
Dëshmitë prekëse nga familjarët dhe ish-shokët e burgut
Në seancë dëshmuan anëtarë të familjes Menendez dhe një ish-shok qelie, të cilët folën për rehabilitimin e plotë të Lyle dhe Erik. Anerae Brown, i cili ndau qelinë me ta për vite me radhë, tha me lot në sy: “Pa Lyle dhe Erik, ndoshta do të isha ende duke bërë gjëra të pakuptimta. Falë tyre, unë gjeta shpresë”.
Një nga kushërirat e vëllezërve, Anamaria Baralt, deklaroi se familja i ka falur dhe se “35 vjet janë më shumë se të mjaftueshme”.
Çështja që tronditi Amerikën dhe riktheu vëmendjen pas dekadash
Rasti Menendez bëri bujë të madhe në SHBA në fund të viteve ’80 dhe u rikthye në qendër të vëmendjes përmes dokumentarëve dhe serialeve televizive. Vëllezërit ishin dënuar për ekzekutimin e prindërve të tyre, José dhe Kitty Menendez, në vilën e tyre luksoze në Beverly Hills.
Për vite me radhë, mbrojtja ka pretenduar se vrasja ndodhi pas abuzimeve të shumta seksuale që ata kishin përjetuar nga i ati, ndërsa nëna thuhet se kishte mbyllur sytë ndaj kësaj situate. Megjithatë, vendimi i vitit 1996 nuk e mori në konsideratë këtë linjë mbrojtjeje dhe e fokusoi motivin te përfitimi nga pasuria familjare.
Prokuroria: Ata ende nuk kanë pranuar plotësisht fajin
Pavarësisht vendimit të gjykatës, prokuroria e Los Angelesit vijon të jetë kundër uljes së dënimit. Prokurori Nathan Hochman deklaroi se “të dy nuk kanë pranuar plotësisht përgjegjësinë për krimin që kanë kryer”.
Në javët në vijim, pritet të vendoset nëse dy vëllezërit do të mund të dalin për herë të parë jashtë burgut pas 35 vitesh pas hekurave.
Top Channel