
“Djalë i ri, i fortë e luftarak”: Donald Trump nuk i kurseu lavdërimet për presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, njeriu i cili u vendos në krye të rebelimit që solli përmbysjen e Bashar al Assadit.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u takua në Arabinë Saudite me Al Sharaan, një ish-udhëheqës i kryengritësve, që kaloi vite i burgosur nga forcat amerikane pasi u kap në Irak.
Takimi i tyre ndodhi në praninë e princit saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman.
Al-Sharaa u shpall president i Sirisë në janar, një muaj pas një ofensive të befasishme të grupeve kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilën ai e drejtonte.
Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga SHBA-ja. Njerëzit e drejtuar prej tij pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit 54-vjeçar të familjes Assad.
Trump tha, para takimit, se vendimin për ta takuar al-Sharaan e mori pas inkurajimit nga princi saudit, bin Salman, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai premtoi, gjithashtu, se do të heqë sanksionet shumëvjeçare ndaj Sirisë.
“Në këtë vend ka një qeveri të re që, ne shpresojmë, do të arrijë të stabilizojë vendin dhe të ruajë paqen”, deklaroi presidenti amerikan, duke nënvizuar se “kjo është ajo që duam të shohim në Siri”.
Top Channel