
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, viziton sot Kosovën, një ditë pas ndalesës në Serbi e Bosnjë që ngjalli jo pak diskutime.
Costa takohet gjatë pasdites me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Vizita e tij vjen në një kohë kur pas plot 15 përpjekjesh, deputetët në Prishtimnë nuk kanë arritur ende ta konstituojnë parlamentin e tij pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa në detyrë vazhdon të mbetet qeveria Kurti.
Ndalesa e Costës vjen gjithashtu teksa liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit.
Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.
Vizitën zyrtare në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Costa në mesin e thirrjeve për të mos shkuar në Serbi, të cilat zgjodhi t`i injoronte.
Raportuesi i Kosovës në Parlamentin Evropian, Riho Terras doli me një akuzë te hapur në llogarinë e tij në “X” kur tha se Costa ka vendosur të takohet me mikun e ngushtë të Kremlinit, pavarësisht kundërshtimit që eurodeputetë nga 14 shtete anëtare bënë përmes një letre të drejtuar atij.
“BE-ja nuk mund të lejojë dështime të tilla diplomatike!”, ka shkruar Terras.
Gjatë një konference për shtyp me presidentin serb, Costa theksoi megjithatë se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçic ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.
Top Channel