
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Arabinë Saudite, ndalesa e parë e një turneu katër-ditor në rajonin e Gjirit, i cili do të përqendrohet më shumë në marrëveshjet ekonomike sesa në krizat e sigurisë që kanë prekur rajonin – nga lufta në Gaza deri te kërcënimi i përshkallëzimit të programit bërthamor të Iranit.
I shoqëruar nga liderë të fuqishëm biznesi, përfshirë drejtorin ekzekutiv dhe partnerin e Teslës, Elon Musk, Trump viziton së pari Riadin – ku po zhvillohet Forumi i Investimeve SHBA-Arabia Saudite. Nesër, të mërkurën, ai do të udhëtojë për në Katar dhe të enjten për në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Presidenti amerikan ka thënë gjithashtu se ka të ngjarë të vizitojë Turqinë të enjten, ku presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky mund të takohen. Vizita e dytë e Trump jashtë vendit që nga marrja e detyrës për herë të dytë – e para ishte kur ai shkoi në Romë për funeralin e Papa Françeskut – vjen në një kohë tensionesh gjeopolitike.
🇸🇦🇺🇸 US President Donald Trump, along with Secretary of Defence Pete Hegseth and Secretary of State Marko Rubio, meet with Crown Prince of Saudi Arabia Mohamed Bin Salman, in Riyadh.#DonaldTrump #SaudiArabia #riyadh #ceasefire #Israel #Gaza #Yemen pic.twitter.com/uYV7SPWD0B
— TheWarPolitics (@TheWarPolitics0) May 13, 2025
Përveç presionit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, administrata Trump po shtyn përpara një mekanizëm të ri ndihme për Gazën e shkatërruar nga lufta dhe po i bën thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të bjerë dakord për një armëpushim në rajon.
Gjatë fundjavës, negociatorët amerikanë dhe iranianë u takuan në Oman për të diskutuar një marrëveshje të mundshme mbi programin bërthamor të Teheranit. Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit nëse diplomacia dështon.
Por, përveç vizitës së tij të mundshme në Turqi, këto çështje nuk janë në qendër të turneut të Trump në Lindjen e Mesme, siç është planifikuar aktualisht.
SHBA-të, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të njoftojnë investime potencialisht në triliona dollarë.
Arabia Saudite u zotua që në janar të investonte 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme, por Trump ka thënë se do të kërkojë që kjo shumë të arrijë në 1 trilion dollarë.
Përveç Elon Musk, turneu në Lindjen e Mesme do të përfshijë liderë biznesi si CEO i BlackRock, Larry Fink dhe CEO e Citigroup, Jane Fraser. Sekretari i Shtetit dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Marco Rubio , dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, po shoqërojnë gjithashtu presidentin.
Gjatë qëndrimit të tij në Riad, Trump pritet t’i propozojë Arabisë Saudite një marrëveshje mbrojtëse me vlerë më shumë se 100 miliardë dollarë, thanë burime për Reuters, dhe ka të ngjarë të përfshijë një gamë të sistemeve të përparuara të armëve, duke përfshirë avionët transportues C-130.
Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite pritet të shmangin diskutimin e çështjes së normalizimit të marrëdhënieve Riad-Izrael, thanë burime për Reuters, edhe pse ky është qëllimi më i hershëm gjeopolitik i Trump për rajonin.
I dërguari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha javën e kaluar se pret përparim në Marrëveshjet e Abrahamit, një seri marrëveshjesh të ndërmjetësuara nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, në të cilat shtetet arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Marokun, e njohin Izraelin.
Por refuzimi i Netanyahut për t’i dhënë fund luftës në Gaza ose për të krijuar një shtet palestinez e bën të pamundur çdo përparim në bisedimet përkatëse me Riadin, thanë burime për Reuters.
Bisedimet në ndalesën e dytë dhe të tretë të Trump – përkatësisht në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – pritet të përqendrohen gjithashtu në çështjet ekonomike.
Familja mbretërore e Katarit do t’i dhurojë Trumpit një avion luksoz Boeing 747-8 , i cili do të konvertohet për t’u përdorur si avion presidencial (Air Force One), gjë që ka shkaktuar reagime që kur Kushtetuta e SHBA-së u ndalon atyre që ushtrojnë autoritet publik në SHBA të pranojnë dhurata “nga një mbret ose një princ ose një shtet i huaj”.
Trump ka thënë se pas përfundimit të mandatit të tij, ai do ta dhurojë avionin për fondacionin e bibliotekës së tij presidenciale.
Top Channel