
Procesi i votimit në Qarkun e Gjirokastrës ka nisur në përgjithësi pa probleme të mëdha.
Qendrat e votimit janë hapur në oraret e parashikuara, me përjashtim të disa qendrave në Bashkinë Dropull, ku për shkak të vonesës së komisionerëve dhe mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, procesi nisi me rreth 35 minuta vonesë.
Në disa zona të Dropullit dhe Zagorisë nuk janë kontraktuar operatorë për identifikimin biometrik për shkak të mungesës së stafit dhe problemeve me internetin; në këto qendra identifikimi po bëhet manualisht, me konsensusin e komisioneve. Gjithashtu, janë shënuar disa situata të vogla teknike, si ngatërrimi i kapakëve mes kutisë së votimit dhe asaj të materialeve.
Në këtë proces zgjedhor, në të gjithë qarkun janë çelur 198 qendra votimi në shtatë bashki, nga 207 që ishin në vitin 2021. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar gjithsej 115,418 votues, një rënie krahasuar me 123,270 në zgjedhjet e mëparshme. Gjirokastra mban numrin më të madh të votuesve (40,510), ndërsa Libohova më të ulëtin (5,332).
Risi e këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja e diasporës. Rreth 8,500 emigrantë nga qarku janë regjistruar për të votuar në distancë përmes platformës PER, duke përfaqësuar afro 18% të elektoratit aktiv të vitit 2021.
Megjithëse prania fizike e emigrantëve përmes pikës kufitare të Kakavijës është më e ulët se në zgjedhjet e kaluara, përfshirja e tyre mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet në një qark me tkurrje demografike dhe pjesëmarrje historikisht të ulët.
Top Channel