Rëndohet situata pas incidentit në QV-në e Pogradecit, pasi goditi me grusht komisionerin, nipërit e tij i dhunojnë edhe familjen

11/05/2025 13:48

Incidenti në njërën prej qendrave të votimit në Pogradec është rënduar.

Eksponenti i PD Luan Tollozhina goditi me grusht komisionerin e PS Entin Gegën në qendrën e votimit pasi vajza e tij kryetarja e komisionit u përfshi në një debat me të.

Tollozhina ra në pranga pasi rreth orës 10.30 hyri në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike 52 vjeçarit me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë në këtë qendër votimi.

Pas kësaj situate, nipërit e të arrestuarit kanë shkuar në familjen e të dhunuarit dhe kanë goditur gruan dhe djalin e komisionerit.

Sipas dëshmisë së Enton Gegës, i cili ishte komisioner, konflikti nisi kur një person i identifikuar si Luan Tollozhina e akuzoi se kishte ngacmuar vajzën e tij.

Tollozhina i cili më pas e goditi Gegën në vesh dhe e shau, dyshohet se u revoltuar gjatë një momenti kur po votohej një person me aftësi ndryshe. Entoni sqaron se ka ndjekur rregullat e trajnimit për të lejuar këta persona të votojnë dhe se konflikti nisi pa shkak të justifikuar. Ai deklaron se këtë sjellje agresive i njëjti person e përsërit në çdo proces zgjedhor. Ngjarja u raportua në polici nga vetë Enton Gega.

Pas incidentit të parë, situata u përshkallëzua edhe jashtë. Suela Gega, bashkëshortja e Enton Gegës, tregon se u përballën me një pritë nga 4-5 persona. Djali i tyre, i cili është i operuar dhe me këmbë të thyer, u godit me arka. Ajo u përpoq të mbronte djalin dhe u dhunua fizikisht.

“Rreth orës 13:00, në Pogradec shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., (nipërit e shtetasit të arrestuar L. T.), pas konfliktit të ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali).

Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e 52 vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre shtetasve”, sipas policisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta