
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka raportuar se si po shkon procesi i votimit në vend, ku mësohet se ka pasur disa problematika në disa qendra votimi dhe se pjesëmarrja deri më tani është 13.54%.
“Janë 8% e QV-ve të hapura me vonesë ndërmjet orës 7:00 deri në 8:00. Mbi 5% të QV-ve rezulton që nuk kanë qenë të pranishëm të shtatë anëtarët e komisionit. Në momentin kur procesi i votimit është hapur, në të gjitha QV-të kanë qenë të pranishëm vëzhgues të partive politike. 5% të QV-ve kemi pasur raportime që ka patur tensione dhe kanë shkaktuar vonesa. Pretendime për grumbullime të njerëzve që në ato momente nuk duhet të ishin aty. Kanë ndërhyrë KQZ-ja dhe situata është stabilizuar. Kemi një raportim që lidhet me personat me aftësi të kufizuar, janë 21% të rasteve në të cilat ne kemi kërkuar informacion dhe këta persona nuk janë asistuar në bazë të procedurave të kodit zgjedhor.
Pasi ka nisur procesi kemi pasur në 6% të QV-ve ndërprerje për probleme teknike, por situata është stabilizuar pas ndërhyrjes së inspektorëve të KQZ-së.
Në 5% të QV-ve kemi mosrespektim të distancës, për individët të cilët kanë mbaruar procesin e votimit, por vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e QV-ve. Sa i përket votimit elektronik, më rezulton që janë 4 QV pa operatorë.
Janë 4 QV në të cilat identifikimi i votuesve po bëhet manualisht.
Tej atyre problematikave të orës së parë, tashmë jemi mësuar të gjithë me ato debatete pavlerë të komisionerëve, cilësohet që procesi ka filluar normalisht. Ka një raportim ku pretendohet për presion dhe intimidim të zgjedhësve, edhe nga stafi ynë në terren, por edhe nga të dy krahët politik.
Sa i përket votimit elektronik në njësinë nr. 10 dhe në bashkinë e Vorës, raportohemi që procesi ka vijuar normalisht dhe pa probleme.
Pjesëmarrja është 13.54%, por këtë mund ta konsultoni në kohë reale”, tha Celibashi.
Top Channel