
PS Fier ka reaguar pasi kandidati demokrat bllokoi me makinë qendrën e votimit në Karabunarë.
Partia Socialiste do të kallëzojë shtetasin Rrapo Gjika, theksohet në njoftim, i identifikuar me detyrë kryetar i Partisë Demokratike, Fier, pasi po ushtron presion ndaj komisionerëve të Partisë Demokratike.
Deklaratë e PS Fier, Dorina Gjino, kryetare e PS, Fier
Partia Socialiste e qarkut Fier denoncon me forcë veprimet bllokuese të qëllimshme të segmenteve të Partisë Demokratike në këtë qark sa i përket procesit të votimit.
Bazuar në prova konkrete dhe dëshmitarë, Partia Socialiste do të kallëzojë shtetasin Rrapo Gjika, identifikuar me detyre kryetar i Partisë Demokratike, Fier, pasi po ushtron presion ndaj komisionerëve të Partisë Demokratike që të pezullohet pa shkak procesi i votimit. Z. Gjika është dokumentuar në këtë përpjekje në qendrat e votimit 2999, 2884 dhe 2884/1 të Bashkisë Fier.
I bëjmë thirrje kryetarit të PD Fier të ndalojë menjëherë përpjekjet e qëllimshme për pengimin dhe bllokimin e procesit të votimit dhe e njoftojmë se ndaj tij po përgatitet kallëzimi i shoqëruar me të gjitha materialet audiovizive dhe dëshmitë e të pranishmeve që faktojnë këtë veprim të paligjshme të tij.
Partia Socialiste e qarkut Fier ju bën gjithashtu thirrje komisionerëve në qendrat e votimit të të gjitha forcave politike të respektojnë përcaktimet e Kodit Zgjedhor dhe të ushtrojnë me përpikmëri detyrën e marrë përsipër, për të siguruar një proces të qetë dhe të rregullt votimi për të gjithë qytetarët e këtij qarku.
Ndërkohë Partia Socialiste Fier denoncon një rast edhe më flagrant në Topojë, një njësi e cila njihet si basion socialist ku aktualisht ka një përqendrim të forcave të Partisë Demokratike. Pasi kandidati i Partisë Demokratike, Ajet Gurguri u përplas me komisionerët brenda qendrës së votimit dhe u shoqërua jashtë qendrës nga forcat e policisë, tashmë përfaqësuesit e kësaj partie kanë vërshuar drejt njësisë Topojë, duke filluar nga Luan Baçi dhe deri tek drejtuesi politik, Gazmend Bardhi. Përsërisim se për të gjitha rastet e mësipërme kemi nisur referime pranë organeve ligjzbatuese.
Denoncojmë gjithashtu se kandidati i PD, Gentian Çela është paraqitur pranë qendrave të votimit, 2835 dhe 2835/1, në njësinë Karbunarë, Lushnjë ku ka arritur të tërheqë komisionerët e PD, duke pezulluar kështu procesin e votimit në këto dy qendra. Kandidati Çela do të kallëzohet nga Partia Socialiste Fier për një numër veprash shkelje të Kodit Zgjedhor, duke nisur nga aksesimi i qendrave të votimit, intimidimi i Përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe bllokimi i procesit të votimit përmes presionit të komisionerëve për braktisjen e detyrës.
I bëjmë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje dhje të lejojë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës të qetë.
Top Channel