
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu përgjigj me ironi paralajmërimeve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Mertz nga Kievi, të cilët kërcënuan me “sanksione të ashpra” ndaj Rusisë nëse kjo e fundit nuk pranon propozimin për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.
“Jemi mësuar me sanksionet. Tashmë e dimë mirë çfarë do të bëjmë pas shpalljes së tyre dhe si t’i minimizojmë pasojat,” u shpreh Peskov gjatë një interviste për kanalin televiziv rus Rossiya 1.
Sipas tij, është “humbje kohe” të besohet se Rusia mund të frikësohet apo të ndikohet nga masa të reja ndëshkuese ekonomike të Perëndimit.
Peskov komentoi gjithashtu edhe reagimin e vendeve evropiane pas paradës së 9 Majit në Moskë, të njohur si Dita e Fitores mbi Nazizmin.
“Evropianët janë të irrituar nga ajo që ndodhi të premten në Moskë. Janë të shqetësuar përballë mbështetjes së gjerë ndërkombëtare që pati Dita e Fitores,” tha ai, duke nënvizuar sipas tij përkrahjen globale për qëndrimin e Rusisë.
Top Channel