“Pioniere në politikë”/ Forumi i Grave të Diasporës dhe grave në politikë, vlerësohen më të spikaturat

09/05/2025 15:43

Gratë e diasporës bashkuan gratë e politikës në Durrës në një forum të veçantë, që solli figura të hershme dhe të reja të grave në politikë e shoqëri, duke theksuar fuqinë e bashkëpunimit pa dallim kufijsh.

Pjesëmarrëset nga vendi, rajoni dhe diaspora diskutuan mbi sfidat dhe rolet e grave në vendimmarrje, edukim, barazi ekonomike dhe integrim.

Ne duam të japim një mesazh që gratë, pavarësisht bindjeve politike apo profesionit, duhet të bashkëpunojnë për fuqizimin dhe zhvillimin e grave“, u shpreh Mirela Mezani, organizatore e forumit.

Me një vlerësim të veçantë, çmimi “Pioniere në Politikë” iu dha për herë të parë disa prej emrave më përfaqësues: Arta Dades, si e para grua zv.kryeministre dhe ministre e jashtme në Shqipëri, Bardhylka Kospirit, e para grua me aftësi të kufizuara që ka mbajtur një post zëvendësministreje në qeveri, Ingrid Shulit, deputete dhe ish-ministre, si dhe Jozefina Topallit, e para grua që ka mbajtur postin e kryetares së Kuvendit. Kjo e fundit mungoi në aktivitet, ndonëse ishte e ftuar.

Në një nga momentet më të ndjera, Shyrete Tahiri, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndau mesazhin e saj.

Të heshtja nuk ishte më një mundësi. Dialogu i hapur u bë çelësi i shërimit tim“, tregoi Tahiri.

Forumi në Durrës jo vetëm që vlerësoi gratë që kanë hapur rrugën në politikë, por u kthye në një hapësirë bashkimi mes brezave ku diaspora luajti rolin e urës që nxit njohjen dhe bashkëpunimin mes grave për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Top Channel