
Është përsëritur edhe të premten skenari i njëjtë i dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Për të pestën herë nuk është formuar komisioni për votimin e fshehtë që e kërkon Lëvizja Vetëvendosje.
Pikërisht përpjekjen e partisë së parë për të ndërruar mënyrën e votimit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjes mes votimit të hapur dhe kalimi në votim të fshehtë ne kemi mbledhur nënshkrimet do t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje ligjore dhe këtë shkelje kushtetuese”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK.
Mbështetje nismës së AAK-së i ka dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa thonë se do të vazhdojnë të shqyrtojnë juristët e partisë e njëjtë do të veprojnë edhe ata nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Për të dërguar diçka për të dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese, që i jep zgjidhje ngërçit politik që është krijuar, natyrisht që ne analizojmë lëndën dhe jemi për”, u shpreh Hykmete Bajrami, deputete e LDK.
“Do ta shqyrtojmë pa paragjykim dhe do të marrim mendimin e ekspertëve të PDK-së, pastaj do të komunikojë edhe me kolegët edhe nga AAK-ja”, tha Memli Krasniqi, deputet i PDK.
Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje insistojnë se votimi i fshehtë nuk përbën shkelje.
“Ne mendojmë që kjo është vetëm propagandë për të arsyetuar bllokadën, mirëpo nëse dikush, AAK-ja apo dikush tjetër mendon se ka shkelje të Kushtetutës, duhet të nxitojë dhe jo ta mbajnë pezull gjithë këtë proces”, u shpreh deputetja e LVV, Donika Gërvalla.
Të gjitha partitë e përfaqësuara në parlamentin e Kosovës të premten kanë shprehur gatishmërinë për takim me presidenten Vjosa Osmani për të gjetur zgjidhje ngërçit të krijuar, porse thonë se do ta presin ftesën nga ajo.
Për të 13-ën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës duke e lënë vendin pa institucione edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Top Channel