
Nën presionin e kohës, Sali Berisha u shfaq para gazetarëve për t’i kërkuar një sakrificë të fundit asaj pjese të diasporës që nuk ka mundur të regjistrohet për të votuar me postë.
“Thirrja ime është: cilido prej tyre që mund të vijë të votojë më datën 11 maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij”, tha Berisha.
Giro d’Italia u prishi planet demokratëve, duke zhvendosur mitingun përmbyllës të fushatës elektorale nga qendra në periferi të Tiranës.
“Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores së datës 11 maj”, u shpreh kryedemokrati.
Festa e demokratëve nis në orën 19:00, ku në podium këtë herë do të ketë disa të ftuar specialë. Ish-eurodeputeti Elmar Brok, si dhe ish-politikani britanik Lord Jackson, do të kërkojnë mbështetje për të rikthyer Sali Berishën në pushtet. Nuk do të mungojë as mesazhi i strategut të fushatës, Chris Lacivita.
“Ai është faktor madhor i kësaj fushate fantastike dhe i fitores së 11 majit, nuk ka diskutim”, tha kreu i PD-së.
E nisën pa Ilir Metën, por e mbyllën me të. Zëri i kryetarit të Partisë së Lirisë do të dëgjohet përmes një audio-mesazhi nga burgu.
Para se të trokasë heshtja zgjedhore, Sali Berisha nuk fshehu shqetësimin e tij për blerjen e votave, por megjithatë është i bindur për rikthimin e tij të tretë.
“E kemi të verifikuar, të vërtetuar absolutisht. Rezoluta e Valencias ka denoncuar Edi Ramën për këto zgjedhje, për blerjen e votës. Do të jetë dalja ime e fundit si kryetar i opozitës”, tha kryetari i opozitës.
Mitingut nuk do t’i mungojnë elementet e spektaklit. Sali Berisha do t’i bëjë “diss” Ramës dhe Noizyt, me Stresin.
Top Channel