
Në një tjetër episod që shton gjasat e një përplasjeje të rrezikshme të plotë mes Indisë dhe Pakistanit, ushtarë të të dy krahëve shkëmbyen sulme të forta artilerie përgjatë kufirit në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë civilëve.
Banorët e zonave kufitare pohuan se të shtënat vazhduan shumë gjatë. “Jemi mësuar me shkëmbime zjarri në kufi, por ajo që ndodhi gjatë natës ishte jashtë çdo norme”, pohoi një prej tyre.
Përshkallëzimi i tensioneve mes dy vendeve fqinje, të cilat janë njëkohësisht kombe me armë bërthamorë, vjen pas sulmit ndaj turistëve në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir.
Në anën indiane, zyrtarë ushtarakë thanë se trupat pakistaneze i bombarduan me artileri, mortaja dhe armë zjarri postet e tyre në disa zona. Forcat indiane u kundërpërgjigjën me intensitet, duke shkaktuar përplasje të ashpra deri në agim.
Në sektorin Uri të Indisë, një grua humbi jetën dhe dy civilë të tjerë u plagosën, sipas policisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave civile në Indi në 17 që nga dita e mërkurë. Islamabadi ka vazhduar ta mohojë përfshirjen në sulmin e 22 prillit, ku humbën jetën 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.
Megjithatë qeveria e Indisë nuk bindet, por vazhdon ta fajësojë për ngjarjen e rëndë, e një ditë më parë ndërmori sulme ajrore ndaj disa objektivave në territorin pakistanez, që i cilësoi si strehë të militantëve.
Top Channel