
Edicioni i 108-të i garës prestigjioze ndërkombëtare të çiklizmit “Giro d’Italia” startoi sot, më 9 maj, nga qyteti i Durrësit, duke shënuar një moment historik për të gjithë vendin.
Çiklistët profesionistë nga e gjithë bota përshkuan në mënyrë demonstrative rrugët kryesore të qytetit, duke nisur nga shëtitorja “Taulantia”, pranë Torrës Veneciane, më tej në rrugën e Kalasë, bulevardin “Epidamn”, sheshin “Liria” dhe rrugën “Aleksandër Goga”.
Pas kësaj xhiroje prezantuese, ata u drejtuan drejt rrugës së Dëshmorëve, “Adria”, “Pavarësia” dhe më pas në zonën e Plepave, ku edhe u dha starti zyrtar i etapës së parë.
Atmosfera në shëtitoren bregdetare ishte festive, ndërsa me mijëra qytetarë kishin mbushur rrugët për të ndjekur nga afër ngjarjen. Tifozë të çiklizmit ardhur nga vende të ndryshme, qytetarë durrsakë dhe nxënës shkollash u mblodhën për të përjetuar emocionet e këtij eventi të madh sportiv që, për herë të parë, nisi nga Shqipëria.
Pas Durrësit, deri më 11 maj, edhe Tirana dhe Vlora, do të jenë mikpritëse të çiklistëve të “Giro d’Italia 2025”. Pas 21 etapash dhe një itinerari prej 3,443.3 kilometrash, gara do të mbyllet më 1 qershor në Romë.
Top Channel