
Bashkimi Evropian shpreh keqardhje të thellë për udhëtimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Moskë dhe pjesëmarrjen në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, një ngjarje që Rusia, sipas Brukselit, e shfrytëzon për qëllime propagandistike.
“Nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian. Nëse dikush dëshiron të tregojë mbështetje për paqen, vendi i duhur për këtë më 9 maj është Kievi, jo Moska”, thuhet në një përgjigje me shkrim të një zëdhënësi të Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
BE-ja thekson se ka qenë “krejtësisht e qartë” me partnerët e saj, përfshirë edhe vendet kandidate si Serbia.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht me regjimin e Putinit, në kohën kur agresioni i tij ndaj Ukrainës është i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian.
Vuçiç mbërriti në Moskë në prag të përvjetorit të 9 majit dhe takimi i tij me Putinin është i pari që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ai deklaroi para gazetarëve në Moskë se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe shtoi se “nëse dikush duhet ta paguajë çmimin e kësaj vizite, ai do të jem unë, jo shteti”. Vuçiç tha gjithashtu se pret “reagime shumë të ashpra” nga BE-ja për shkak të kësaj vizite, por se përgjigjja e tij do të jetë “e matur dhe serioze”.
Top Channel