
Elementët korruptivë nuk zbehin suksesin e sistemit të shëndetësisë, u shpreh kryeministri Edi Rama në “Top Story”, teksa drejtori i Informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, përmendi koncesionet e shëndetësisë që janë nën hetim nga SPAK.
Edi Rama: Ai skandal që ndodhi te Onkologjiku nuk tregon as që Onkologjiku nuk ka bërë transformim të madh nga pikëpamja e infrastrukturës të brendshme, nuk kemi pas asgjë aty. Sot kemi ndërtuar një infrastrukturë tjetër. Ai ishte një skandal kriminal, por ama nuk tregon as që historia është zhvilluar ashtu në një kohë të gjatë. Ka qenë një periudhë kohe kur gjëja ka degraduar në atë lloj..
Robert Rakipllari: Kur thashë shëndetësia falas ka dështuar, e kam për koncesionet që janë nën hetim nga SPAK
Edi Rama: Nëse SPAK gjen që brenda për brenda asaj përmbajtjeje ka elementë korruptivë, nga pikëpamja e sistemit, ato kanë super sukses
Robert Rakipllari: SPAK thotë nuk duheshin bërë se ka abuzime
Edi Rama: Këtu kemi një problem shumë të madh, SPAK është për të luftuar korrupsionin, jo për të marrë vendime se çfarë duhet të bëjë qeveria. Nëse në përmbajtjen e një procesi ka një moment korruptiv, momenti korruptiv ndëshkohet, por nuk duhet të ndëshkohet i gjithë produkti. Ato pajisje e kanë ulur nivelin e infeksioneve, shko tako specialistët të ta thonë. Mjekët janë të tmerruar që kjo është një gjë që duhet ndaluar. Po ta them me një shpjegim banal: institucionet kanë sjellë një kamion me mollë për fshatin, në sasinë e mollëve që marrin të gjithë, futesh ti dhe ca mollë nuk i fut ne inventar. Ti do dënohesh por kjo nuk e bën kamionin fajtor dhe të gjitha mollët e tjera fajtore.
Top Channel