Lideri i serbëve të Bonjës, Millorad Dodik, ka mbërritur në Moskë të enjten, ku më 9 maj do të marrë pjesë Ditën e Fitores, ceremoninë që shënon 80-vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Ai po merr pjesë me ftesë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në aeroportin “Sheremetjevo”, Dodikun e priti zëvendësdrejtori i Departamentit për Protokollin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Andrej Miljajev, njoftoi agjencia e lajmeve, SRNA.

Në mbrëmje, Dodik do të marrë pjesë në një darkë në Kremlin, të organizuar nga Putin për zyrtarët ndërkombëtarë që kanë shkuar në Moskë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores.

Një ditë më parë në Moskë ka mbërritur edhe kryetari i Kuvendit Popullor të entitetit serb të Bosnjës, Lista Sërpska, Nenad Stevandiq, i cili sot pritet të takohet me zëvendëskryetarin e Këshillit të Federatës së Rusisë (dhoma e sipërme e parlamentit), Konstantin Kosaçov.

Për Dodikun, Stevandiqin, dhe kryeministrin e Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka lëshuar fletarrestim kombëtar.

Megjithatë, këta dy zyrtarë kanë udhëtuar jashtë vendit edhe më herët, dhe Dodik, që nga lëshimi i fletarrestimi, ka vizituar tashmë një herë Moskën dhe është takuar me Putinin.

Në Moskë ka mbërritur më 7 maj edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa është parashikuar që më 9 maj të zhvillojë një takim bilateral me Vladimir Putinin, njoftoi Kremlini.

Vendimin për të marrë pjesë në paradën me rastin e Ditës së Fitores më 9 maj, Vuçiqi e bëri publik në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me Putinin.

Njoftimet për vizitën e mundshme të presidentit serb në Rusi kanë nxitur reagime edhe nga institucionet evropiane./REL

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta