Kërcënimi i jetës së punonjësve të AMP dhe familjarëve të tyre, merret vendimi për mbrojtje të veçantë, zbardhen detajet

08/05/2025 07:57

Me vendim të Këshillit të Ministrave, kanë hyrë në fuqi ndryshime të reja në lidhje me përcaktimin e kushteve dhe të mënyrës për mbrojtjen e veçantë të punonjësit të agjencisë së mbikëqyrjes policore, të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës.

Këshilli i Ministrave në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 75, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, ka vendosur si më poshtë:

1. Punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim AMP), të cilit, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë.

2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.

3. Punonjësi i kërcënuar i AMP-së përfiton mbrojtje të veçantë nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të AMP-së;
b) Gjendja e punonjësit të AMP-së në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;
c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.

4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:
a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të AMP-së të rrezikuar;
b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të AMP-së;
c) ruajtjen e pronës së punonjësit të AMP-së të rrezikuar.

5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të AMP-së bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

6. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve përbëhet nga:
a) Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm, kryetar;
b) Drejtori i Hetimit, anëtar;
c) Drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale, anëtar;
ç) Përgjegjësi i sektorit të analizës dhe informacionit, anëtar;
d) Drejtori rajonal i qarkut, ku banon personi i kërcënuar, anëtar.

7. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të AMP-së i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve nga:
a) punonjësi i AMP-së, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona;
b) struktura të AMP-së, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së;
c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së.

8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:
a) gjenealitetet e plota të punonjësit të kërcënuar të AMP-së;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e AMP-së, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.

9. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:
a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;
b) mospranimin e kërkesës.

10. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Kërcënimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe përmban:
a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;
b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të kryer, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;
c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.

11. Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.

12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale në drejtim të punonjësit të AMP-së të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.

13. Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i AMP-së ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.

14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore urdhëron strukturat përkatëse në AMP të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së. KVK-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.

15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta