Kërcënimet e shumta nga Kina, reagon presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit: Paqja forcon agresorët, jemi si Europa në prag të Luftës së Dytë Botërorë

08/05/2025 14:14

Presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit, Lai Ching-te, ka krahasuar sfidat me të cilat përballet sot vendi i tij me tensionet që përshkruan Evropën përpara Luftës së Dytë Botërore, duke dhënë një fjalim të fortë dhe simbolik për të përkujtuar fundin e luftës në kontinentin evropian.

Në një ceremoni të organizuar në Taipei, Lai tha se Tajvani sot ndan të njëjtat vlera me demokracitë që dikur luftuan kundër Gjermanisë naziste dhe përballet me kërcënime të ngjashme nga regjime autoritare. Ai theksoi nevojën për bashkëpunim global për të mbrojtur lirinë dhe paqen.

“Përvoja e hidhur e Luftës së Dytë Botërore na tregon se paqësimi vetëm sa do t’i bëjë pushtuesit më lakmitarë dhe do t’ua zgjerojë ambiciet,” deklaroi Lai.

Kjo është hera e parë që Tajvani përkujton zyrtarisht përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Fjalimi i presidentit erdhi në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, ndërsa ishulli i vetëqeverisur po përballet me presion të shtuar ushtarak dhe diplomatik nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin si pjesë të saj dhe nuk përjashton mundësinë e aneksimit me forcë.

Ceremonia u shoqërua me një video përkujtimore të zbarkimit në Normandi dhe një regjistrim të fjalimit të famshëm të Winston Churchill. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë diplomatikë nga vendet evropiane, përfshirë përfaqësuesen më të lartë britanike në Tajvan dhe zyrtarë nga Bashkimi Evropian.

Marcin Jerzewski, nga Qendra Evropiane e Vlerave për Politikën e Sigurisë, tha se mesazhi i presidentit ishte i qartë: Tajvani nuk kërkon vetëm mbrojtje, por dëshiron të jetë partner i plotë në ruajtjen e rendit demokratik ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti i Kinës, Xi Jinping, ndodhej në Moskë për përkujtimin e Luftës së Dytë Botërore në Rusi, një ngjarje që do të kulmojë me një paradë ushtarake ku do të marrin pjesë edhe trupa kineze. Xi e përdori këtë rast për të ripërsëritur pretendimin e Kinës mbi Tajvanin, duke deklaruar se “ribashkimi kombëtar është një prirje historike e pandalshme”.

Mbështetja e Kinës për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe retorika në rritje për “ribashkimin” me Tajvanin kanë rritur shqetësimet në Perëndim për një përshkallëzim të mundshëm në Indo-Paqësor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta