BKH, arrestime për blerje votash! Ndalimet si pjesë e hetimeve për krimet zgjedhore në Malësi të Madhe, Mjedë e Barbullush

08/05/2025 15:10

Hetimet për krime zgjedhore nuk po kryhen vetëm në letra e në tavolina prokurorësh, por kanë zbritur edhe në terren.

Mëngjesin e kësaj të enjteje, agjentë të BKH-së dhe Policia e Shkodrës kanë kryer kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona si: Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë.

Top Channel mëson se bëhet fjalë për procedime penale që janë regjistruar nga SPAK për krime zgjedhore në Shkodër dhe në këtë kuadër ka pasur edhe të shoqëruar, për të cilët po verifikohet nëse kanë tentuar të ndikojnë në zgjedhjet e 11 majit.

Në Shkodër ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, ku zhvilloi një takim me prokurorin Albert Murçaj në kuadër të intensifikimit të hetimeve në lidhje me indiciet për krime zgjedhore. Të njëjtën gjë kreu i SPAK bëri edhe në Lezhë, ku u takua me Arben Nikën, të komanduarin si kryeprokuror i Lezhës, si dhe me përfaqësues të Policisë Vendore në Lezhë.

Tre ditë para zgjedhjeve, SPAK njofton zyrtarisht se janë administruar materialet për 123 raste të dyshuara për krime zgjedhore, nga të cilat vetëm 35 raste kanë nisur procedime penale, nën dyshimin e krimeve zgjedhore, për të identifikuar personat që po tentojnë të ndikojnë në zgjedhje.

Në 8 raste, SPAK ka nisur hetimet kryesisht, ndërsa në 20 raste të tjera ka qenë policia ajo që i ka referuar rastet në SPAK.

Pavarësisht zhurmës së madhe politike që partitë politike kanë bërë gjatë kësaj fushate me pretendime për shit-blerje votash apo presion mbi administratën, vetëm për dy kallëzime të subjekteve politike janë regjistruar procedime penale. Tre kallëzime të tjera kanë ardhur nga qytetarë dhe dy nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta