
Studiuesit kanë paralajmëruar se qytetet braziliane po përballen me një “pushtim” në rritje të akrepave, ndërsa urbanizimi i shpejtë dhe ndryshimet klimatike po krijojnë kushte ideale për përhapjen e tyre. Sipas një punimi të publikuar së fundmi, numri i pickimeve është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
Nga viti 2014 deri në 2023 janë regjistruar mbi 1.1 milion raste pickimesh nga akrepat, një rritje prej 250%, sipas të dhënave zyrtare të sistemit brazilian të informacionit shëndetësor, siç raporton The Guardian.
Studiuesit theksojnë se rritja e shpejtë e zonave urbane, sidomos në favelat me kushte të vështira jetese dhe menaxhim të dobët të mbetjeve, ka krijuar një mjedis ideal për akrepat. Ata lulëzojnë në mjedise të ngrohta, të lagështa dhe të ndotura, duke shfrytëzuar strehimet në mure, rrënoja dhe kanalizime.
“Akrepat gjejnë gjithçka që u nevojitet për të mbijetuar dhe riprodhuar në qytetet moderne”, tha studiuesja Manuela Berto Pucca nga Universiteti Shtetëror i São Paulo-s. “Ata mund të jetojnë deri në 400 ditë pa ushqim dhe riprodhohen pa pasur nevojë për çiftim”.
Vetëm në vitin 2024 janë raportuar afro 200,000 raste pickimesh dhe 133 viktima. Studiuesit parashikojnë që në periudhën 2025–2033, numri i rasteve të reja mund të arrijë në 2 milionë. Shumë prej tyre mund të mos raportohen, pasi njerëzit shpesh trajtohen vetë në shtëpi ose nuk kërkojnë ndihmë mjekësore.
Për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, pickimet nuk janë fatale, por shkaktojnë dhimbje, ënjtje dhe shqetësim për disa ditë. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit. Sipas statistikave, rreth 0.1% e rasteve të raportuara përfundojnë me vdekje.
Ekspertët theksojnë se parandalimi është thelbësor për të kontrolluar situatën. Rekomandohet pastrimi i ambientit, mbyllja e çarjeve në mure, përdorimi i rrjetave në kullues dhe kontrolli i rrobave e këpucëve përpara përdorimit.
Sistemi shëndetësor brazilian ofron trajtim falas për pickimet, dhe antidoti është i disponueshëm në disa spitale dhe qendra emergjence.
“Nëse dikush pickohet, mos prisni që simptomat të përkeqësohen. Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore,” tha profesorja Eliane Candiani Arantes nga Universiteti i São Paulo-s.
Top Channel