
Avioni i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Baku, Azerbajxhan, ndërsa ishte rrugës për në Moskë ku pritej të merrte pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, ndalimi i papritur i udhëtimit ka ardhur si pasojë e ndalimit të hyrjes në hapësirat ajrore të disa vendeve si dhe për shkak të kërcënimeve të paidentifikuara për sigurinë, përfshirë rreziqet nga sistemet e mbrojtjes ajrore përgjatë itinerarit.
Më herët, Letonia dhe Lituania kishin ndaluar në mënyrë eksplicite fluturimin e Vuçiç në hapësirat e tyre ajrore, ndërsa Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar se pjesëmarrja e tij në kremtimet në Moskë mund të ndikonte negativisht në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.
Në një veprim të ngjashëm, Polonia dhe Lituania kishin bllokuar edhe fluturimin e Kryeministrit sllovak Robert Fico drejt Moskës, ndërsa Estonia kishte vendosur një ndalim të përgjithshëm për fluturimet drejt Rusisë për këtë ngjarje përkujtimore.
Këto veprime të koordinuara nga shtetet baltike dhe Polonia, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës, po konsiderohen si përpjekje për të penguar kremtimet e 80-vjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste. Në të njëjtën kohë, forcat ukrainase po intensifikojnë sulmet ndaj Moskës, në përpjekje për të ndërprerë mbërritjen e liderëve të huaj në ceremoni.
Top Channel