
Partia Demokratike e Kosovës tha se është e bindur që zgjidhja më e mirë është që ekzekutivi i ri i Kosovës të formohet nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Përmes një komunikate për media, pas mbledhjes së kryesisë, PDK-ja tha se beson që dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, u tha në njoftimin e PDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjen e presidentit të ri, vitin e ardhshëm.
PDK tha se çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës “meriton të dëgjohet dhe diskutohet”.
Sipas kësaj partie, që doli e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si institucion mbi partiak, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të thërrasë një takim me të gjitha subjektet politike parlamentare, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për bllokadën në formimin e institucioneve të reja.
“Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, tha PDK.
Partitë e tjera shqiptare janë shprehur të gatshme të diskutojnë për propozimin e LDK-së për një qeveri tranzitore, por Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si një ide të papranueshme.
Kosova ende nuk ka krijuar institucionet e reja tre muaj pas muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Më herët gjatë 7 majit, në vazhdimin e 12-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk arritën të konstituonin organin ligjvënës.
Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit, propozimi i të cilit i takon LVV-së si fituese e zgjedhjeve.
LVV-ja për këtë post ka propozuar Albulena Haxhiun, por në gjashtë votime ajo ka dështuar të marrë 61 votat e nevojshme. Partitë, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e kanë konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse, dhe disa nga këto parti i kanë kërkuar LVV-së që ta ndryshojë kandidaten.
LVV-ja ka refuzuar thirrjet për ndryshimin e propozimit për kryeparlamentar. Kjo parti, më herët ka propozuar që kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako – gjë që është refuzuar nga partitë e tjera.
Ditë më parë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, po ashtu ka ftuar në takim kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky i fundit nuk e ka pranuar ftesën.
Më pas, Kurti i është drejtuar me një letër Abdixhikut duke i propozuar që të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, Abdixhiku ka refuzuar këtë ofertë dhe ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore, që do të përfshinte të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e presidentit.
PDK, LDK dhe AAK kanë akuzuar LVV-në se po e bllokon konstituimin e Kuvendit, pasi nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë së re. Ndërkaq, LVV-ja po ashtu bën fajtore këto parti dhe Listën Serbe, për bllokimin e konstituimit të organit ligjvënës./REL
Top Channel