Më shumë se 70 ish-pjesëmarrës të Eurovisionit kërkojnë përjashtimin e Izraelit

07/05/2025 13:20

Më shumë se 70 artistë dhe muzikantë, të cilët dikur kanë përfaqësuar vendet e tyre në Eurovision, kanë nënshkruar një letër të hapur ku kërkojnë përjashtimin e Izraelit dhe transmetuesit të tij kombëtar, KAN, nga edicioni i këtij viti i Eurovision Song Contest.

Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka qenë temë e debatit që nga viti i kaluar, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Tani, një letër e drejtuar Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) është nënshkruar nga 72 muzikantë dhe performues të lidhur me këtë festival. Në këtë letër, organizatorëve u bëhet thirrje që ta përjashtojnë Izraelin dhe transmetuesin e tij publik për shkak të, siç thuhet në dokument, “gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza dhe regjimit shumëvjeçar të aparteidit dhe pushtimit ushtarak ndaj të gjithë popullit palestinez”.

Ndër nënshkruesit e letrës janë edhe fitues të mëhershëm të Eurovision-it si Charlie McGettigan, Salvador Sobral dhe Fernando Tordo, si dhe këngëtarja britanike Mae Muller, këngëtarja franceze La Zarra, përfaqësuesja e dikurshme e Turqisë Hadise Açıkgöz dhe konkurrentët e vitit të kaluar Ásdís María dhe GÅTE, të cilët morën pjesë në atë që letra e përshkruan si “edicioni më i politizuar, më kaotik dhe më i pakëndshëm në historinë e Eurovision-it”. Eurovision 2024 është shoqëruar nga polemika të shumta për shkak të përfshirjes së Izraelit në garë, në një kohë kur konflikti në Gaza vazhdon. Kritikët kanë akuzuar EBU-në për hipokrizi, duke kujtuar përjashtimin e Rusisë në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraelit iu lejua të garojë pavarësisht situatës.

Vitin e kaluar, Izraeli rrezikoi të tërhiqej nga gara pasi këngëtares së tij iu kërkua të ndryshonte tekstin e këngës “October Rain”, për shkak të aludimeve të dyshuara ndaj sulmeve të 7 tetorit. Po ashtu, KAN u kritikua rëndë për sjelljen ndaj konkurrentëve të tjerë, veçanërisht ndaj përfaqësueses së Irlandës, Bambie Thug, e cila e akuzoi rrjetin izraelit për “nxitje dhune” ndaj saj.

Në letrën e sivjetme, thuhet: “Ne i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) që të kërkojnë përjashtimin e KAN, transmetuesit publik izraelit, nga Eurovision Song Contest. KAN është bashkëfajtor në gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Gaza dhe regjimin shumëvjeçar të aparteidit dhe pushtimit ushtarak ndaj popullit palestinez. Duke i dhënë vazhdimisht platformë përfaqësimit të shtetit izraelit, EBU po normalizon dhe po i zbardh krimet e tij. EBU ka treguar se është në gjendje të ndërmarrë masa, siç bëri në vitin 2022 kur përjashtoi Rusinë nga gara. Ne nuk e pranojmë këtë standard të dyfishtë ndaj Izraelit. Si këngëtarë, autorë tekstesh, muzikantë dhe pjesëmarrës të privilegjuar të Eurovision-it, u bëjmë thirrje EBU-së dhe të gjithë transmetuesve anëtarë që të veprojnë menjëherë dhe ta mbrojnë integritetin e festivalit. Izraeli duhet të përjashtohet nga Eurovision-i”./TAR

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta