Tarifat e Trump ndaj Bashkimit Europian, komisioneri i Tregtisë së BE: Nëse dështojnë bisedimet, do të…

06/05/2025 15:10

Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maros Šefković deklaroi sot para Parlamentit Europian në Strasburg se BE-ja preferon të gjejë një zgjidhje përmes negociatave me SHBA-në, por në rast se bisedimet dështojnë, BE-ja po përgatit kundërmasat e saj dhe të gjitha opsionet janë në tryezë.

Pas pothuajse një muaji që nga fillimi i armëpushimit tarifor midis BE-së dhe SHBA-së, ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje përmes negociatave dhe progresi i bërë duket i kufizuar.

“Të gjitha opsionet mbeten në tryezë”

“Tani kemi nevojë që SHBA-të të tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të bëjnë përparim drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të ekuilibruar”, tha Šefković gjatë një debati në Parlamentin Europian mbi një përgjigje të unifikuar të BE-së ndaj masave të pajustifikuara tregtare të SHBA-së dhe mundësive globale tregtare për BE-në.

“Të gjitha opsionet mbeten në tryezë”, theksoi Komisioneri i Tregtisë, duke kujtuar se BE-ja ka pezulluar kundërmasat e veta për t’i dhënë hapësirë ​​negociatave, duke përfituar nga periudha 90-ditore e pezullimit të presidentit amerikan.

Kujtohet se vendet e BE-së përballen me tarifa amerikane prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit dhe makinave dhe tarifa “hakmarrëse” prej 10% për pothuajse të gjitha mallrat e tjera që mund të rritet në 20% pas pauzës 90-ditore të Trump, nga 14 korriku e tutje.

Šefković tha se SHBA-të kanë vendosur tarifa për 70% të mallrave të BE-së të importuara në SHBA dhe kjo mund të rritet në 97% nëse SHBA-të përfshijnë edhe produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit dhe mallra të tjera të BE-së.

Komisioneri tha gjithashtu se BE-ja do të mbrohet nga rritjet e mundshme të importeve nga vende të tilla si Kina, për shkak të devijimit të tregtisë nga muri tarifor i Trump. Një grup pune do të ngrihet nga Komisioni deri në mesin e majit për të monitoruar devijimin e tregtisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta