SHBA, Sekretari Hegseth urdhëron uljen me 20% të oficerëve të lartë në Pentagon

06/05/2025 09:53

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi të hënën një ulje prej të paktën 20% të numrit të gjeneralëve, kapitenëve dhe admiralëve me katër yje në detyrë aktive, zbulon qarkorja e tij.

Administrata Trump nis reforma të thella në Pentagon, shkarkime, zvogëlime dhe riorganizime në strukturat ushtarake

Që nga marrja e detyrës në fund të janarit, administrata e Presidentit Donald Trump ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të përputhur forcat e armatosura me prioritetet e saj politike. Këto përfshijnë shkarkimin ose zëvendësimin e disa oficerëve të lartë dhe synimin për të shkarkuar mijëra punonjës civilë të Departamentit të Mbrojtjes.

Sipas një memorandumi të Ministrit të Mbrojtjes, drejtuar lidershipit të Pentagonit, është urdhëruar gjithashtu një ulje me 20% e numrit të oficerëve të lartë në Gardën Kombëtare. Afatet dhe detajet e plota të zbatimit të këtyre ndryshimeve nuk janë specifikuar në dokumentin zyrtar.

Megjithatë, Pete Hegseth, sekretari i ri i Mbrojtjes, deklaroi në një video të publikuar në platformën X (ish-Twitter) se shkurtimet do të ndodhin në dy faza, duke filluar me gjeneralët me katër yje dhe zyrtarët e lartë të Gardës Kombëtare.

Hegseth theksoi se vendimi nuk synon të “ndëshkojë” oficerët e lartë, por ka për qëllim “maksimizimin e përgatitjes strategjike dhe rritjen e efektivitetit operacional”.

Gjatë seancës dëgjimore në Senat në janar, Hegseth kishte deklaruar se synon të luftojë burokracinë brenda Pentagonit. “Detyra ime është të punoj me rekrutët dhe personelin ekzistues për të identifikuar se ku mund të reduktojmë ‘dhjamin’ për t’u bërë më të fuqishëm,” kishte thënë ai.

Sipas të dhënave nga marsi 2025, në Forcat e Armatosura të SHBA-së shërbenin 38 oficerë me katër yje, niveli më i lartë i karrierës ushtarake, dhe gjithsej 817 gjeneralë, komandantë dhe admiralë në detyrë aktive.

“Falë këtyre masave, do të ruajmë pozicionin tonë si forca luftarake më e fuqishme në botë, do të sigurojmë paqen përmes forcës dhe do të garantojmë më shumë efikasitet, inovacion dhe aftësi për t’u përballur me çdo sfidë,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në shkurt, Presidenti Trump shkarkoi Shefin e Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjeneral-lejtnant Charles Brown, i cili ishte afro-amerikani i parë në atë post, pa dhënë shpjegime për vendimin. Ai u zëvendësua nga një kapiten i bardhë. Po ashtu, u liruan nga detyra edhe Admiralja Lisa Franchetti, shefe e Marinës, dhe Admiralja Linda Fagan, komanduese e Rojës Bregdetare – e para grua që kishte udhëhequr një nga gjashtë degët e ushtrisë amerikane.

Përveç oficerëve të lartë, administrata synon të reduktojë edhe personelin civil të Departamentit të Mbrojtjes me të paktën 5%.

Sekretari Hegseth e justifikoi këtë riorganizim duke theksuar se Presidenti Trump po emëron persona që i beson dhe që janë në përputhje me vizionin e tij për mbrojtjen kombëtare. Megjithatë, ligjvënësit demokratë kanë ngritur shqetësime serioze, duke e cilësuar këtë proces si një politizim të rrezikshëm të forcave të armatosura amerikane.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta