
Sot në Dibër është përkujtuar ditëlindja e heroit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Me këtë rast fjalë rasti para të pranishmëve pati Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani ku mes tjerash tha “le ta kujtojmë duke e ndërtuar bashkimin aty ku historia ka mbjellë ndasi, duke mbajtur besën në kohë dyshimi dhe duke qenë zëri që nuk trembet”.
Më poshtë fjalimi i plotë i Meidanit:
Të nderuar të pranishëm,
të dashur qytetarë të Dibrës,
vëllezër e motra shqiptarë,
Sot jemi mbledhur për të kujtuar lindjen e një zëri që nuk u hesht kurrë.
Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, biri i Dibrës, emri që u bë flamur, simbol dhe frymëzim.
Skenderbeu nuk luftoi për kështjella apo tituj, por për një fjalë që ne shqiptarët e kemi më të shtrenjtë se jeta: besa.
Skënderbeu e mbajti besën me popullin, me tokën, me historinë. Dhe për këtë, ai fitoi diçka më të madhe se çdo kurorë: fitoi përjetësinë.
Në një kohë kur tradhtia ishte monedhë e zakonshme, ai zgjodhi të bashkonte.
Kur princërit grindeshin për territore, ai i thirri për një qëllim më të madh.
Ai nuk i zhduku dallimet mes tyre por i vuri të gjitha në shërbim të qëndresës dhe të një ideje që nuk kishte ekzistuar më parë: një Shqipëri që flet me një zë dhe ngrihet per një qëllim.
E ku më mirë se në Dibër mund të flasim për këtë qëndresë?
Në këto male që i dhanë burrit shpatën, kalin dhe betimin.
Në këto lugina që mbajnë ende zërin e betejave dhe erën e lirisë.
Dibra nuk është thjesht vendlindja e Skënderbeut, Dibra është themeli i qëndresës shqiptare, toka ku nisi një epokë.
Skënderbeu ishte strateg, ushtarak, vizionar.
Por mbi të gjitha, ishte bashkues.
Ai ndërtoi një vetëdije kombëtare, një ndjenjë se ishim bashkë dhe kur ishim pak, dhe kur ishim të rrethuar.
Sot, në Ditëlindjen e tij, le të mos e kujtojmë me fjalë të thata e klishe tipike.
Le ta kujtojmë duke ecur me dinjitet, duke folur me guxim, dhe duke mos e ulur kurrë kokën – as para padrejtësisë, as para harresës.
Le ta kujtojmë duke e ndërtuar bashkimin aty ku historia ka mbjellë ndasi, duke mbajtur besën në kohë dyshimi dhe duke qenë zëri që nuk trembet.
Skënderbeu nuk na la vetëm një histori për të treguar, por një udhë për të ndjekur.
Dhe Dibra — Dibra e tij — është gjithmonë aty, në ballë, kur historia thërret.
Lavdi Skënderbeut!
Lavdi Shqiptarisë!
Top Channel