Kush është numri 2 i qeverisë gjermane Lars Klingbeil, të cilin disa e krahasojnë me një “ari të lezetshëm me kthetra të mprehta”

06/05/2025 10:41

Sjellja e tij e qetë, pothuajse miqësore dhe buzëqeshja e pandashme mund të të mashtrojnë. Por Lars Klingbeil nuk është një zë i butë në politikë. Përndryshe, si do të kishte arritur të bëhej Zëvendëskancelar dhe Ministër i Financave i ekonomisë më të fuqishme të Eurozonës në një nga momentet e saj më të vështira?

Pas një serie humbjesh elektorale për Partinë Socialdemokrate (SPD), Lars Klingbeil, bashkëkryetar i partisë, ka dalë jo vetëm i padëmtuar, por edhe më i fuqishëm. Tashmë në postin e zëvendëskancelarit dhe ministër i Financave të Gjermanisë, ai është vendosur në zemër të një sfide të dyfishtë: Rindërtimin e partisë së tij të përçarë dhe ringjalljen e një ekonomie që po lëngon.

I njohur për stilin e tij të qetë dhe tonin bashkëpunues, Klingbeil fshihet pas një strategjie të ftohtë dhe të vendosur. Ai ka treguar aftësi për të ruajtur pozicionin në kohë krize, për të prerë lidhjet me mentorin e tij politik Gerhard Schröder kur ishte e nevojshme dhe për të kontrolluar brendinë e partisë me vendosmëri. Duke folur publikisht për betejën e tij me kancerin në vitin 2014, ai përçoi një mesazh të qartë: Qëndrueshmëria dhe vendosmëria janë themeli i karakterit politik.

Por tani e pret një detyrë shumë më e madhe: të hartojë një buxhet për vitin 2025, të frenojë shpenzimet shtetërore në një kohë me pritshmëri të larta sociale dhe të rifillojë motorët e një ekonomie që po stagnon. Në një Gjermani që kërkon udhëheqje të fortë, Klingbeil nuk e fsheh ambicien për të qenë shumë më tepër sesa “Numri 2”.

Disa demokristianë që u morën me të në negociatat mbi programin e qeverisë thanë më vonë se edhe një ari i ëmbël mund t’i tregoje kthetrat e tij të mprehta nëse është e nevojshme.

Një betejë personale që u bë mesazh politik

Rreth dhjetë ditë më parë, Klingbeil ndau publikisht një përvojë të dhimbshme personale: në vitin 2014 ishte diagnostikuar me kancer në gjuhë, pas shumë vitesh si duhanpirës i rëndë. “E sheh jetën ndryshe kur je në kufirin midis prishjes dhe paprishjes,” tha ai në një podkast, duke theksuar se kjo formë e kancerit rrallëherë është e shërueshme. Ishte një mesazh i koduar për kritikët e brendshëm dhe partnerët skeptikë: ai di të mbijetojë aty ku të tjerët dorëzohen – falë vendosmërisë dhe qëndrueshmërisë së tij.

Përballja me një SPD të përçarë

Si drejtues i një partie që ka kaluar nga një humbje në tjetrën dhe që ende kërkon identitetin e saj, Klingbeil përballet me një sfidë të dyfishtë: të ringjallë optimizmin në një bazë gjithnjë e më të majtë, ndërsa vetë përfaqëson krahun më konservator të socialdemokracisë gjermane. Ky tension brendapartiak është i vështirë, por sërish një betejë me një audiencë të kufizuar.

Ministri i Financave në një ekonomi të bllokuar

Sfida shumë më e madhe është ajo që e pret në postin e Ministrit të Financave. Një post që në të kaluarën i dha famë botërore Wolfgang Schäuble-it dhe i shërbeu si trampolinë Olaf Scholz-it drejt kancelarisë – me ndihmën e vetë Klingbeil-it.

Gjermania po përballet me një ngërç ekonomik: rritje zero për vitin 2025 dhe parashikime të zymta për vitin që vjen. Ndërmarrjet po shqyrtojnë shkurtimet e vendeve të punës dhe qytetarët janë më të shqetësuar se kurrë për të ardhmen ekonomike. Klima është ndër më negativet në dekada.

Nga ana tjetër, ekziston perceptimi i rremë se buxheti shtetëror ka fonde të pakufizuara. “Frena e borxhit” mbetet një kufizim i fortë ligjor, ndërsa fondet e jashtëzakonshme për infrastrukturën, dixhitalizimin dhe mbrojtjen (përfshirë 100 miliardë euro për ushtrinë) janë tashmë të shpërndara. Tani, disa ministri duhet të përgatiten për shkurtimet që do t’u kërkojë Klingbeil, i cili duhet të paraqesë buxhetin për vitin 2025 – me gjashtë muaj vonesë.

Paraardhësi i tij paralajmëroi se duhen prerë “disa dhjetëra miliardë euro” nga shpenzimet publike. Detyra e re e Klingbeil-it nuk është vetëm të mbajë ekuilibrin financiar, por të ringjallë një ekonomi që po fundoset dhe një qeveri që po humbet besimin publik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta