
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Port Sudan, qytetin strategjik në brigjet e Detit të Kuq, ndërsa një forcë paraushtarake ka shënjestruar për të tretën ditë radhazi kryeqytetin de facto të qeverisë së Sudanit, i udhëhequr nga ushtria e vendit.
Sipas dëshmitarëve, tymi i dendur i zi ka mbuluar horizontin e qytetit që dikur ishte një strehi e sigurt për mijëra refugjatë që iknin nga lufta civile dyvjeçare. Në agim, qyteti është prekur nga shpërthime të fuqishme, duke e transformuar atë në një skenë që shumë e përshkruajnë si apokaliptike.
“Shoh një re të madhe dhe zjarr që përhapet përreth qytetit… dhe tani dëgjova gjithashtu se ishin dy shpërthime të tjera të forta”, tha gazetarja Cristina Karrer për BBC.
Sulmet janë kryer nga Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat kanë shënjestruar infrastrukturën kyçe të qytetit. Dronët goditën aeroportin ndërkombëtar të vetëm funksional në Port Sudan, duke çuar në anulimin e fluturimeve. Sipas raportimeve, një hotel pranë pallatit presidencial gjithashtu u godit nga një nga dronët. Një depo karburanti në portin jugor, një zonë me popullsi të dendur, ka pësuar gjithashtu dëme të rënda.
Forcat ushtarake të Sudanit kanë akuzuar RSF-në për këto sulme, të cilat janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të rimarrë territoret e humbura, përfshirë kryeqytetin Khartum, të cilin ushtria e mori në mars. Sulmet e fundit me dronë janë një tregues i rritjes së përdorimit të teknologjisë në luftën e përgjakshme që ka tronditur Sudanin për dy vjet radhazi.
Luftimet mes ushtrisë dhe RSF-së kanë shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur dhe kanë detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre, duke sjellë një krizë humanitare të pashembullt. As ushtria e Sudanit, as RSF-ja nuk janë kursyer nga akuzat për krime lufte gjatë këtij konflikti.
Port Sudani, i cili deri tani ishte një nga qytetet më të sigurta në vend, tani ka rënë nën sulme të drejtpërdrejta. Shkatërrimi i tij rrezikon të përkeqësojë edhe më shumë situatën humanitare dhe të shtojë tensionet në një nga rajonet më të pasigura të Afrikës.
Top Channel