Punonjësja e Ambasadës Shqiptare në Itali, Marjeta Mikeli ka bërë një reagim për Top Channel në lidhje me akuzat ndaj saj nga drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli.

Mikeli shprehet se pretendimet e Topallit janë të pavërteta dhe të pabazuara.

Ajo thekson se “asnjëherë, në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kam qenë e përfshirë në ndonjë veprim apo proces që bie ndesh me ligjin apo që cenon integritetin e procesit zgjedhor”.

“Jozefina Topallit duhet t’i kujtojmë veprat e vëllait të vet dhe ish dhëndrit kur ishin në funksione të larta të diplomacisë shqiptare. Dëshpërimi i saj arrin deri aty sa të më përbaltë reputacionin tim si diplomate”, shton Mikeli në reagim.

“Unë, Marjeta Mikeli, dëshiroj të bëj një sqarim publik në lidhje me përmendjen e emrit tim nga zonja Jozefina Topalli në një emision në Top Channel, në kontekstin e pretendimeve për përfshirje në grumbullimin e zarfeve të votuesve të diasporës.

Deklaroj qartë dhe prerë se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta dhe të pabazuara. Asnjëherë, në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kam qenë e përfshirë në ndonjë veprim apo proces që bie ndesh me ligjin apo që cenon integritetin e procesit zgjedhor.

Si punonjëse e Ambasadës Shqiptare në Itali, kam ushtruar dhe vijoj të ushtroj detyrën time me përgjegjësi, korrektësi dhe në përputhje me ligjin dhe etikën institucionale. Përdorimi i emrit tim në kontekste të tilla të pavërteta përbën cenim të integritetit tim profesional dhe personal.

Kërkoj nga të gjitha mediat dhe aktorët publikë që të përmbahen nga përhapja e dezinformatave dhe të respektojnë të drejtën time për një reputacion të pastër. Do të ndjek të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të mbrojtur emrin dhe figurën time.

Jozefina Topallit duhet t’i kujtojmë veprat e vëllait të vet dhe ish dhëndrit kur ishin në funksione të larta të diplomacisë shqiptare. Dëshpërimi i saj arrin deri aty sa të më përbaltë reputacionin tim si diplomate.

Deklaroj me përgjegjësi të plotë, se përveç votës sime, nuk marr përsiper të sugjestionoj apo ndikoj askënd. Veproj në përputhje të plotë me ligjin për diplomacinë, në ushtrimin e funksioneve të mia zyrtare asgjë më tepër”, ka thënë Marjeta Mikeli.

Kujtojmë se më parë tha se punonjësja e Ambasadës në Itali, Marjeta Mikeli ka mbledhur zarfet e votave në mënyrë të paligjshme.

“Posta DHL në Greqi ka kontaktuar nënkontaktor, që është një thyerje e normave ligjore dhe kodit zgjedhor. Kemi raste që jo vetëm nuk dorëzohen zarfat individualisht me pasaportën, ky do të ishte një pretendim i çmendur ndoshta, edhe pse është ligjor, por ata çojnë email dhe i thonë të vijnë në pikën më të afërt.

Zakonisht pika më e afërt e Speedex apo Currier dhe pika më e afërt është një pikë bastesh, dhe shqiptarët shkojnë, por nuk e gjejnë më zarfin aty. U thonë se zarfi i tyre nuk është më këtu, pavarësisht se ata nuk e kanë marrë, dhe dikush tjetër ka shkuar të marrë zarfin e tyre.

Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme, jo se nuk e kanë bërë gjatë regjistrimit, por tani kanë kaluar çdo masë. Por nëse Itali është më e kufizuar, por zonja do të merret nën hetim, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek dhe shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacione që marrin makina me qira dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat.

Kemi raste të tjera të cilat si psh, një ish-kryetar i komunës së Çarshovës, që tani është në bashkinë e Përmetit, pasi shkon aty dhe ka numrat e telefonit, informacioni që vjen tek ne, është se i japin një shumë financiare dhe pastaj ua plotëson vetë fletën e votimit, Veli Mehmeti e ka emrin. Gjëra të tilla janë të përsëritura, nuk është më një fenomen sporadik, por është kthyer në një normalitet.

Unë e kuptoj alarmin që ka pala tjetër në lidhje me situatën që është aty, por thyerja e ligjit, futja e njerëzve të PS-së sikur të ishin zyra të DHL-së, është e papranueshme.
Për këto raste i kërkojmë jo vetëm KQZ-së, por edhe SPAK që në mënyrë të veçantë në Greqi, të verifikojnë raste të tilla skandaloze që e kanë nxjerrë gati jashtë kontrollit procesin e votimit dhe të dorëzimit të zarfeve në këtë vend.

Jo rastësisht që nëse deri pardje numri i zarfeve nga Greqia ishin rreth 17 mijë, brenda 24 orësh, pikërisht në periudhën që ne po na vinin informacione për manipulim në një shkallë të votës, ky numër kërceu me 6 mijë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër, edhe pse ka numër votuesish shumë më të madh”, ka deklaruar më parë Topalli.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta