
Një kandidate e “Shqipëria Bëhet” në qarkun e Durrësit është kërcënuar këtë pasdite me armë, sipas kryetarit të kësaj partie, Adriatik Lapajt.
Sipas tij, “anëtarë të krimit të organizuar në Durrës i kanë prerë rrugën kandidates Valbona Myhedin dhe aktivistëve që e shoqëronin e i kanë treguar armën në brez për ta intimiduar”.
Kandidatja ka qenë duke zhvilluar takime me qytetarët në lagjen nr. 8, në shkollën Eftali Koçi ku po ndante programin elektoral. Lapaj thotë se për ngjarjen do të njoftojë edhe ambasadën amerikane, pasi Myhedini është shtetase amerikane, ndërsa bën thirrjen për hetimin e rastit dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.
“Myhedin është edhe shtetase amerikane e për këtë do të njoftohet me urgjencë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai i paburrë që ka guxuar t’i tregojë armën 2 grave ta dijë që do përgjigjet para ligjit. Kjo burracakëri nuk do kalojë lehtë. Nëse mendojnë se kthehemi pas, e kanë gabim! P.s personi në video është ai që ka kryer këtë akt të ulët. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat e duhura!”.
Top Channel