
Policia franceze po heton një sërë rrëmbimesh të investuesve të lidhur me kriptovaluta, pasi një burri 60-vjeçar iu këput një gisht nga sulmuesit që kërkuan që djali i tij, një milioner i kriptovalutave, të paguante para për lirimin, raporton “The Guardian”.
Në rrëmbimin e fundit të lidhur me kriptovaluta në Francë dhe Evropën Perëndimore, burri, që zotëronte kompani marketingu të kriptovalutave së bashku me djalin, u lirua nga një shtëpi në jug të Parisit të shtunën mbrëma. Ai ishte mbajtur mbi dy ditë.
David Balland, bashkëthemelues i firmës së kriptovalutave “Ledger”, që vlerësohet në mbi 1 miliard dollarë, u rrëmbye me partneren e tij më 21 janar në shtëpinë e tyre në Mereau, në Francën qendrore. Edhe atij iu pre një gisht.
Nëntë të dyshuar janë në hetim penal për atë rast, përfshirë udhëheqësin e dyshuar – 26-vjeçar – që kishte dosje policore për një rrëmbim të mëhershëm,
Në dhjetor të vitit të kaluar, babai 56-vjeçar i një influencuesi të kriptovalutave me seli në Dubai, ishte shënjestra e një rrëmbimi të dyshuar në lindje të Francës. Sulmuesit mbërritën në shtëpinë e burrit, lidhën gruan dhe vajzën e tij dhe e detyruan atë të hipte në veturë.
Djali mori një kërkesë për shpërblim dhe menjëherë kontaktoi policinë. Dy gratë u liruan shpejt, ndërsa babai u zbulua 24 orë më vonë në bagazhin e një makine në Normandi. Ai kishte shenja të dhunës fizike dhe ishte spërkatur me benzinë.
Rrëmbime tjera u raportuan në Spanjë dhe Belgjikë në pesë muajt e fundit.
Top Channel