
Mijëra viktima të abuzimit në qendrat e të miturve dhe në shtëpitë kujdestare në të gjithë qarkun e Los Angeles do të kompensohen pas dekadash keqtrajtimi sistemik.
Këshilli i qarkut miratoi këtë javë një marrëveshje historike prej 4 miliardë dollarësh për të adresuar afërsisht 7,000 pretendime për abuzim seksual të ndodhur në institucionet e drejtuara nga qarku. Kjo është pagesa më e madhe e këtij lloji në historinë e SHBA-së.
Shumica e rasteve lidhen me qendrën e të miturve MacLaren, e hapur në vitin 1961 dhe e mbyllur në 2003, ku viktimat kanë raportuar dhunë fizike, abuzim seksual, kërcënime, dhe shpesh heshtje institucionale për dekada me radhë. Një raport zbuloi se aty ishin punësuar persona me precedentë penalë. Megjithatë, asnjë person nuk është arrestuar deri më tani, ndonëse disa raste janë referuar për hetim penal.
Jimmy Vigil, një ish-banues i një qendre tjetër për të mitur në qark, tha se marrëveshja nuk i sjell lehtësim dhe se “drejtësia e vërtetë do të ishte ndjekja penale e abuzuesve.” Ai përshkroi një sistem ku abuzimi ishte pjesë e përditshmërisë dhe rehabilitimi nuk ekzistonte.
Mbikëqyrësja e qarkut Kathryn Barger e quajti marrëveshjen “një kapitull të errët në historinë tonë”, ndërsa drejtuesit e qarkut shprehën angazhimin për reforma thelbësore, si krijimi i një linje raportimi për abuzimin dhe përshpejtimi i hetimeve ndaj punonjësve të dyshuar.
Kompensimi financiar do të shpërndahet deri në vitin 2050 dhe do të ketë ndikim të madh në buxhetin e qarkut, që arrin rreth 48 miliardë dollarë në vit. Pagesat do të kryhen nga rezervat, emetimi i obligacioneve dhe shkurtimet buxhetore në disa departamente.
Avokatët që përfaqësuan mijëra viktima theksuan se ky kompensim është rezultat i trimërisë së të mbijetuarve dhe ndryshimeve ligjore në Kaliforni, që në vitin 2020 lejuan paditë për raste të vjetra abuzimi.
Drejtuesit e qarkut e përshkruajnë marrëveshjen si një përpjekje për të njohur dhe kompensuar dëmët e thella të shkaktuara ndër vite dhe për të nisur një kapitull të ri në mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve.
Top Channel