
Presidenti Donald Trump mori meritat dhe fajësoi aspekte të ndryshme të ekonomisë amerikane në një intervistë në emisionin “Meet the Press” të NBC që u transmetua sot.
“Mendoj se pjesët e mira janë ‘ekonomia e Trump’ dhe pjesët e këqija janë ‘ekonomia e Biden’ sepse ai ka bërë një punë të tmerrshme”, tha Trump në intervistën me prezantuesen Kristen Welker, e cila u transmetua të dielën.
Trump përfundoi së fundmi 100 ditët e tij të para në detyrë, me 66% të amerikanëve që thonë se janë ose pesimistë ose të frikësuar për ekonominë, sipas një sondazhi të CNN të publikuar të hënën.
Presidenti ka dhënë pak siguri në lidhje me efektet afatshkurtra dhe afatgjata të politikave të tij tregtare, duke përfshirë armiqësinë e tij me Kinën, raundet e shumta të tarifave mbi importet e automjeteve dhe vendosjen e menjëhershme dhe më pas ndërprerjen e të ashtuquajturave tarifa reciproke.
Në intervistën për NBC, Trump mori përsipër meritat për uljen e kostove për amerikanët. “Isha në gjendje t’i ulja kostot. Por edhe kështu, duhet pak kohë për t’i ulur ato. Por i ulëm mirë”, tha ai.
Ndërkohë CNN shkruan se dhënat e Indeksit të Çmimeve të Konsumatorit tregojnë se çmimet mesatare të ushqimeve ishin rreth 2.41% më të larta në mars 2025 sesa në mars 2024. Kjo ishte norma më e lartë e inflacionit të ushqimeve nga viti në vit që nga gushti 2023.
Top Channel