Ekskluzive/ Maksim Çela, besniku Aldo Bares, përdori intervistën e nënës të policit të vrarë për azil në Angli

04/05/2025 15:07

Maksim Çela anëtari i bandës së Lushnjës në mbështetje të kërkesës për të marrë azil në Angli ka përdorur edhe një intervistë të dhënë nga nëna e policit të vrarë Klenti Bano.

Ky është shkrimi i “The Sun” më 17 Mars 2025 nga ku Katia Bano nëna e Klenti Banos shpreh habinë se si vrasësi i djalit të saj ka mundur të hyjë në Angli.

Ish-mësuesja 77-vjeçare e matematikës djali të cilës u vra nga banda e Lushnjës 25 vite më parë, në këtë prononcim për “The Sun”, në asnjë moment nuk flet për hakmarrje, por është shprehur se Maksim Çela duhet të vuante një dënim më të ashpër për vrasjen e të birit.

Maksim Çela, një prej njerëzve besnik të Aldo Bares,  ka tentuar ti japë kësaj interviste të Katia Banos ngjyrime hakmarrje ndaj tij.

Në vendimin e tribunalit të apelit të emigracionit datës 2 Maj 2025 disponuar nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu, gjyqtari Jeremy Rintoul e rrëzoi këtë pretendim të Maksim Celës.

“Nuk konsideroj se ka prova të mjaftueshme në artikullin nga ‘The Sun’, në të cilin nëna e policit të vrarë është intervistuar, për të justifikuar pretendimin se ajo përbën një rrezik për apeluesin Maksim Çela. Nuk ka asnjë tregues se ajo do të kishte burime të disponueshme për të realizuar ndonjë kërcënim ndaj apeluesit”.

Më tej në vendim gjyqtari Jeremy Rintoul thotë se ai ka shqyrtuar pretendimin e Maksim Çelës nëse do të kishte mbrojtje të mjaftueshme dhe se do të ishte ende në rrezik nëse dëbohej nga Anglia në Shqipëri.

“Unë konsideroj se apeluesi tani ka një profil dukshëm më të lartë si rezultat i publicitetit negativ që ka rrjedhur nga gazetat në median britanike në fillim të marsit 2025. Sipas mendimit tim, këto nuk janë mjaftueshëm për të përbërë një kërcënim ndaj tij apo ndonjë tregues se njerëzit do të përpiqeshin ta gjurmonin ose ta dëmtonin realisht, përkundrazi, bëhet fjalë për kërcënime të kota në rrjetet sociale”.

Gjyqtari Jeremy K. H. Rintoul e quajti të pabazuar në ligj azil kërkimin nga Maksim Çela duke e rrëzuar apelin e ndërmarrë prej tij.

Sipas vendimit të këtij tribunali apeli emigracioni mësohet se Maksim Çela pasi vuajti 25 vite burg në Shqipëri është liruar më 14 Dhjetor 2022.

Pesë ditë më vonë ka udhëtuar drejt Italisë dhe Spanjës duke mbërritur më pas përmes një pasaporte fals në Angli më 16 Janar 2023 e kërkuar azil.

Home Office ministria e brendshme britanike ia refuzoi kërkesën për azil.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta