
Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sot në përpjekjen e dhjetë për të konstituar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Në prag të nisjes së vazhdimit të seancës konstituive më 3 maj, përfaqësuesit e partive politike u shprehën se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet sa i përket votimit të kreut të ri të Kuvendit.
Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Gjatë seancës së sotme, Krasniqit i është ndaluar mikrofoni, me kërkesë të kryesuesit të seancës.
Lista Serbe nuk ka propozuar, teksa ishte duke folur Igor Simiq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i thanë “ec ec”, duke kërkuar ta lirojë foltoren.
“Ua përkujtoj dhe ua përsëris, as herën e parë as herën dhjetë e as herën e 100 nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton. I ftojmë që ta ndërrojnë kandidatin dhe të sjellin një propozim që mund të marrë shumicën e deputetëve”, ka thënë Memli Krasniqi pas ndërprerjes së seancës.
LDK nuk do të votojë as për komisionin e thotë se nuk ka votë për Albulena Haxhiun. Edhe AAK mban qëndrimet e njëjta.
“Nuk i kanë votat për komisionin, nuk u kanë votat për lojërat e Lëvizjes Vetëvendosje e kjo është plotësisht faji i Lëvizjes Vetëvendsoje për këtë situatë”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK, duke shtuar se kjo situatë është taktikë për të mos thënë që po dështon zgjedhja e Albulena Haxhiut.
“E kemi diskutuar e kemi argumentuar që është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i mënyrës së votimit në proces. Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e kësaj shkeljeje. Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun, e kemi thënë që nga fillimi, kryertari duhet të zgjidhet me marrëveshje politike”, ka thënë Hykmete Bajrami, nga LDK.
Seanca u ndërpre dhe u shty të hënën në orën 10:00, për shkak se nuk kanë votat e mjaftueshme për ta formuar komisionin për votimin e fshehtë.
Top Channel