Kryeministri i Jemenit, Ahmed Awad bin Mubarak, jep dorëheqjen pas krizës qeveritare

03/05/2025 19:46

Ahmed Awad bin Mubarak, kryeministri i qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, njoftoi sot se kishte paraqitur dorëheqjen pasi u përball me “shumë vështirësi”, përfshirë pamundësinë për të riformësuar qeverinë e tij.

Dorëheqja e tij vjen pas një përplasjeje me Rashad al-Alimin, kreun e këshillit presidencial të Jemenit, mbi kompetencat e tij, pasi ky i fundit refuzoi kërkesën e Mubarakut për të shkarkuar 12 nga ministrat e kabinetit të tij, thanë burime qeveritare për Reuters.

Sipas burimeve, Ministri i Financave Salem Saleh bin Braik pritet të jetë kryeministri i ri.

Mubarak u emërua kryeministër në shkurt të vitit 2024, pasi më parë kishte shërbyer si ministër i jashtëm. Në vitin 2015, ai u rrëmbye nga milicia Houthi e mbështetur nga Irani, ndërsa shërbente si shef i stafit presidencial gjatë konfliktit të Houthi-ve me presidentin e atëhershëm Abd Rabbuh Mansour Hadi.

Dorëheqja e Mubarakut, të cilën ai e njoftoi në një deklaratë, vjen në një kohë kur SHBA-të po intensifikojnë sulmet ajrore kundër objektivave ushtarake të rebelëve Huthi në një përpjekje për t’i parandaluar ata të synojnë anijet tregtare në Detin e Kuq.

Sulmet vdekjeprurëse ndaj organizatës që nga marsi janë operacioni më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që kur presidenti amerikan mori detyrën në janar.

Jemeni është përfshirë në luftë civile për më shumë se një dekadë. Huthët pushtuan kryeqytetin Sanaa në vitin 2014 dhe rrëzuan qeverinë e njohur, duke e detyruar atë të zhvendosej në qytetin port të Adenit, në pjesën jugore të vendit. Huthët tani kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë qendrat më të mëdha të popullsisë në veri dhe perëndim.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta