Shoferi i autobusit bie në gjumë në timon dhe shkakton aksident të shumëfishtë në Filipine, 10 viktima dhe 30 të plagosur

02/05/2025 10:19

Dhjetë persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën pasi një autobus u përplas me disa automjete në një nga autostradat më të ngarkuara në veri të Filipineve.

Shoferi i autobusit, i cili u arrestua, tha se kishte rënë në gjumë në timon, tha policia për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), duke shtuar se katër fëmijë ishin mes viktimave.

Autobusët në autostradën Subic-Clark-Tarlac shpesh transportojnë punëtorë midis Manilës dhe provincave përreth.

Ministria e Transportit urdhëroi pezullimin e funksionimit të Solid North Bus, një kompani e madhe autobusësh në zonë dhe kompania që zotëronte automjetin e përfshirë në aksident.

Shoferi i autobusit mund të akuzohet për “drejtim të pamatur që shkakton vrasje të shumëfishta”, tha policia për AFP. Edhe faturino i autobusit është marrë në paraburgim.

Aksidenti përfshiu tre automjete dhe një kamion kontejnerësh, tha Kryqi i Kuq Filipinas në një postim në Facebook.

Organizata tha në një postim tjetër se po ofron ushqim dhe ndihma të tjera për njerëzit e shtruar në spital dhe për të plagosurit në aksident.

Aksidentet fatale me autobusë nuk janë të rralla në Filipine.

Përdorimi i drogës nga shoferët e autobusëve ka bërë gjithashtu bujë në javët e fundit, megjithëse nuk është e qartë nëse ishte një faktor në aksidentin në fjalë.

Në prill, disa kompani të transportit publik pezulluan operacionet e tyre pasi 84 nga shoferët e tyre rezultuan pozitivë për substanca të ndaluara në organizëm.

Sekretari i Transportit, Vince Dizon do të takohet me përfaqësues nga gati 30 kompani autobusësh pas aksidentit të fundit, sipas mediave lokale.

Në vitin 2023, 17 pasagjerë autobusi humbën jetën pasi frenat e automjetit ndaluan së punuari, duke bërë që të binte në një përrua.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta