
Në raportin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.
Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta përshkruhet nga konfliktet e interesit.
Kosova nga ana tjetër ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më keq në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Raporti i Reporterëve pa Kufij gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.
Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.
Raporti thekson gjithashtu se media të pavarura në Evropë dhe në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse.
Raporti përmend, ndër të tjera, edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.
“Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump – veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] – kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, veçanërisht në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion dhe luftë”, thuhet në raport.
Top Channel