Derbi i zjarrtë i Athinës i besohet një shqiptari, Enea Jorgji do të vendosë drejtësi në takimin AEK-Panathinaikos

01/05/2025 10:45

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm për arbitrimin shqiptar dhe për arbitrin ndërkombëtar Enea Jorgji, i cili është zgjedhur për të gjykuar njërën nga ndeshjet më të forta dhe më të ndjekura në kampionatin grek, derbin e zjarrtë të Athinës, mes AEK Athens FC dhe Panathinaikos.

Ky takim, i vlefshëm për fazën “Play Off” në “Super League Greece”, do të luhet më 4 maj në orën 19:00 dhe pritet me interes të madh, për shkak të rivalitetit historik mes dy skuadrave dhe garës për titullin kampion.

Caktimi i arbitrit shqiptar në këtë sfidë vjen pas një kërkese zyrtare të Federatës Greke të Futbollit drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, si dëshmi e besimit dhe vlerësimit që federatat europiane kanë për nivelin e arbitrimit në Shqipëri.

Arbitri 40-vjeçar do të ketë në krah asistentët e tij të përhershëm, Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, duke përfaqësuar së bashku me dinjitet dhe profesionalizëm Shqipërinë në këtë sfidë të nivelit të lartë.

FSHF e konsideron këtë një tjetër moment suksesi për arbitrimin shqiptar, i cili prej vitesh ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga institucionet ndërkombëtare të futbollit. Përfshirja e arbitrave shqiptarë në takime të tilla prestigjioze është rezultat i punës së vazhdueshme për rritjen e cilësisë dhe standardeve në këtë sektor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta