100 ditët e para të Donald Trump në krye të SHBA-së, Kamala Harris akuza të forta Presidentit: Po braktisni idealet e Amerikës

01/05/2025 10:39

Ish-zv.presidentja e SHBA-së Kamala Harris mbajti fjalimin e saj më të rëndësishëm që nga largimi nga detyra, duke e shndërruar skenën e një eventi demokrat në një arenë akuzash të ashpra kundër Presidentit Donald Trump dhe drejtimit që, sipas saj, ka marrë vendi në 100 ditët e para të rikthimit të tij në pushtet.

Në një dalje të fuqishme publike nga San Francisko, Harris deklaroi se SHBA-ja po përjeton “një braktisje me shumicë të idealeve më të larta të Amerikës”, ndërsa akuzoi Trumpin se po mbjell frikë dhe kaos për të konsoliduar pushtetin e tij.

Ajo theksoi se presidenca e tij e re është duke ndjekur një kurs të rrezikshëm që po e çon vendin drejt një “krize kushtetuese”.

“Mbështeten në idenë se, nëse mund t’i bëjnë disa njerëz të frikësohen, kjo do të ketë një efekt te të tjerët,” tha Harris. “Por ajo që kanë anashkaluar është se frika nuk është e vetmja gjë që është ngjitëse. Guximi është ngjitës.”

Duke folur me ton sfidues, Harris vlerësoi figurat që, sipas saj, kanë qëndruar përballë axhendës agresive të Trump – nga anëtarët e Kongresit dhe gjyqtarët, te universitetet dhe qytetarët e zakonshëm që mbrojnë të drejtat sociale dhe ligjore.

Fjalimi i Harris vjen në një moment të rëndësishëm politik për të. Pasi ka mbajtur një profil të ulët pas humbjes së saj ndaj Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale, ajo thuhet se po shqyrton mundësinë për një kandidim për guvernatore të Kalifornisë në vitin 2026 ose për një rikthim në garën presidenciale më 2028.

Duke i nxitur amerikanët të mobilizohen dhe të marrin pjesë aktive në jetën politike, Harris e mbylli fjalimin me thirrjen e drejtpërdrejtë: “Le ta mbyllim çështjen”.

Top Channel