
Bashkëshortja e aktorit të Hollivud-it, George Clooney po përballet me mundësinë e ndalimit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara, ku jeton me burrin dhe dy fëmijët e tyre, për shkak të marrëdhënies së saj me Gjykatën Ndërkombëtare Penale në rastin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ministria e Jashtme britanike kohët e fundit paralajmëroi avokatët që këshillojnë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN), përfshirë Amal Clooney-n, se rrezikojnë të përballen me sanksione nëse bien nën Urdhrin Ekzekutiv 14203, të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump në shkurt. Financial Times raporton se bazuar në dekret, gjykata “ndërmori veprime të paligjshme dhe të pabazuara që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin”.
Avokatja britaniko-libaneze, dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, besohet se ka luajtur një rol vendimtar në vendimin për të ndjekur penalisht dhe lëshuar urdhër-arreste kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Galland për krime lufte në Gaza. Kjo për shkak se gjykata i kërkoi asaj vitin e kaluar të bashkohej me një grup ekspertësh ligjorë ndërkombëtarë për të vlerësuar provat e krimeve të dyshuara të luftës në Izrael dhe Gaza.
Sanksionet e Trump
Me urdhrin e tij ekzekutiv, Donald Trump urdhëroi vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe kufizimeve të vizave për zyrtarët, punonjësit dhe të afërmit e ngushtë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ato që ai i quan urdhër-arreste “të pabaza”.
Prokurori i GJND-së, Karim Khan, i cili fillimisht e shtyu gjykatën të lëshonte urdhër-arreste kundër Netanyahut dhe Gallant në maj 2024, është i vetmi person nga çështja e profilit të lartë e përmendur në urdhrin ekzekutiv të Trump. Clooney konsiderohet nga shumë njerëz si objektivi i radhës.
Paneli, ku përfshihej edhe Amal Clooney, vendosi unanimisht se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka juridiksion mbi krimet e kryera gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit dhe rekomandoi që si udhëheqësit e Hamasit ashtu edhe ata izraelitë të mbahen përgjegjës. Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe Gallandin, me arsyetimin se kishte “baza të arsyeshme” për të arritur në përfundimin se të dy burrat “me qëllim dhe me vetëdije e privuan popullsinë civile të Gazës nga sendet thelbësore për mbijetesën e tyre”.
Amal Clooney, 47 vjeçe, punon si avokate në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Si nënë e fëmijëve binjakë, të moshës 7 vjeç, ajo dhe bashkëshorti i saj jetojnë kryesisht midis Britanisë dhe Italisë. Ata po banojnë përkohësisht në Nju Jork, ndërsa George Clooney luan në shfaqjen e Broadëay-t “Good Night and Good Luck”, e cila është bazuar në filmin me të njëjtin emër.
Top Channel