
Shqipërinë e ndajnë 10 ditë nga zgjedhjet e 11 majit dhe politika është e gjitha nën ethet e fushatës dhe kalkulimeve për vota, influenca, ndikime politike kudo ku prodhohet rezultat.
Qarku i Tiranës pritet të jetë një nga zonat më të nxehta të garës elektorale si mazhorancën ashtu edhe për opozitën. Partia Demokratike ka përfshirë në listat e saj emra të njohur si Jorida Tabaku, Ilda Zhulali dhe Dhurata Çupi. Këta kandidatë, duke qenë në listat e hapura, janë të detyruar të zhvillojnë fushata të fuqishme për të siguruar votat e nevojshme.
Këtë mbrëmje në emisionin Top Story në Top Channel, Jorida Tabaku në lidhje me vendosjen e saj në listë të hapur, u shpreh se kjo mund të jetë një strategji, ose se kjo mund t’i bëjë më mirë në karrierën e saj politike.
“Kjo beteja në listën e hapur mua mund të më bëjë edhe mirë, ose ndoshta është strategji. Ne jemi për të sfiduar sondazhet, sepse tregojnë një perceptim për zgjedhjet. Shqetësimi kryesor kur takoj njerëzit më thonë ‘ju lutem mos na bëni publik’. Kështu që unë i marr me rezerva sondazhet për sa i përket ditës së zgjedhjeve”, tha ajo.
Top Channel