
Tre persona janë vrarë në një sulm të armatosur të ndodhur të martën në mbrëmje në një sallon bukurie në qendër të qytetit Uppsala, lajm i konfirmuar nga autoritetet suedeze.
Sipas raportimeve, autori i dyshuar i krimit u largua nga vendi i ngjarjes me një skuter dhe aktualisht është në arrati. Policia ka nisur një hetim për vrasje dhe ka rrethuar zonën përreth sheshit Vaksala, ku ndodhi incidenti.
Sulmi ndodhi vetëm pak ditë para festivalit pranveror Walpurgis, një festë tradicionale që sjell mijëra njerëz në rrugët e qytetit universitar të Uppsala-s, në veri të Stokholmit. Ngjarja ka shkaktuar frikë dhe pasiguri mes banorëve.
“Gjithçka ndodhi kaq shpejt”, deklaroi për TV4 një dëshmitar okular që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Një banor tjetër tha se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarre, derisa pa reagimin e menjëhershëm të policisë dhe ambulancave.
Një nga viktimat, sipas televizionit publik suedez SVT, ishte nën hetim për përfshirje në një sulm të planifikuar ndaj një të afërmi të një udhëheqësi të njohur bande kriminale, një detaj që ka shtuar dyshimet për lidhje me konfliktet e bandave që kanë prekur Suedinë në vitet e fundit.
Zëdhënësi i policisë, Magnus Jansson Klarin, tha për TV4 se në kërkim të autorit është përfshirë edhe një helikopter dhe janë marrë masa të menjëhershme për të bllokuar mundësitë e largimit, përfshirë ndalimin e përkohshëm të trenave në zonë.
Top Channel