
SPAK ka paraqitur prova të reja në seancën e sotme ndaj Festim Bexhdilit, i cili po rigjykohet në Apelin e Posaçëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Provat e reja ishin transkriptet e bisedave në SKY ECC të Dritan Rexhepit me Altin Hajrin e Gentian Funiqin, që SPAK i mori përmes letërporosive nga partnerët gjatë muajit prill.
Avokati i Bexhdilit kërkoi kohë për t’u njohur me provat e reja dhe seanca u shty për më 13 maj.
Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili u ekstradua drejt vendit tonë pasi ishte I burgosur në Ekuador dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës, me banim në Kamëz.
Urdhri dyshohet se u dha pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Top Channel