
Nëse moti e lejon, operacionet për të shpëtuar jahtin superluksoz britanik Bayesian, 56 metra të gjatë, i cili u mbyt verën e kaluar në Siçili, duke vrarë shtatë persona, përfshirë biznesmenin britanik Michael Lynch, do të fillojnë të mërkurën.
Mbytja e anijes ndodhi më 19 gusht 2024, kur jahti ishte ankoruar pranë portit të Porticello-s, në provincën e Palermos dhe u godit nga një stuhi e fortë. Lynch, i cili cilësohej si “Bill Gates i Britanisë” dhe vajza e tij 18-vjeçare, Hannah, ishin midis viktimave.
Lynch ishte me pushime për të festuar lirimin e tij, në qershor 2024, nga akuzat për mashtrim në SHBA në lidhje me shitjen e kompanisë së tij, Autonomy, te Hewlett-Packard në vitin 2011. Ai shoqërohej në udhëtim nga bashkëshortja e tij, Angela Baraches. Gjithashtu në bordin e anijes ishin këshilltari ligjor i Leeds nga Clifford Chance, Chris Morvillo, dhe gruaja e tij, stilistja e bizhuterive Nedda Morvillo, si dhe kryetari i Morgan Stanley International, Jonathan Bloomer, me gruan e tij, Judy Bloomer, një ish-psikoterapiste. Të gjithë humbën jetën. Shefi i kuzhinës së anijes, Recaldo Tomas, ishte gjithashtu ndër viktimat. Në total, u shpëtuan 15 persona, përfshirë Barases.
Studiuesit presin që rikuperimi do të ofrojë prova thelbësore rreth shkaqeve të tragjedisë – nëse ishte një seri gabimesh njerëzore, siç dyshohej fillimisht, apo nëse kishte faktorë të tjerë, sipas Guardian.
Anija ndodhet në një thellësi prej 50 metrash dhe po monitorohet nga autoritetet italiane, të cilat kanë caktuar një zonë përjashtimi prej 650 metrash rreth rrënojave, duke ndaluar çdo aktivitet deri në përfundimin e operacionit.
Operacioni përshkruhet si jashtëzakonisht i vështirë dhe u është caktuar kompanive Hebo Maritiemservice dhe Smit International. Platforma lundruese Hebo Lift 2, 55 metra e gjatë, do të mbërrijë në Porticello, e pajisur me një vinç për ngritje të rëndë dhe pajisje të specializuara zhytjeje. Në të njëjtën kohë, Hebo Lift 10, një nga vinçat më të mëdhenj lundrues në Evropë, do të përdorë bumin e tij 83 metra për të ngritur jahtin.
Varka do të tërhiqet më pas në port, ku prokurorët kanë hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme.
Kapiteni i anijes, James Catfield nga Zelanda e Re, si dhe anëtarët e ekuipazhit Tim Parker Eaton dhe Matthew Griffiths, janë nën hetim – gjë që, sipas ligjit italian, nuk përbën një ndjekje penale formale.
Vlerësohet se kostoja e ngritjes do të arrijë në 30 milionë dollarë.
Ekspertët po shprehin habinë e tyre se si një jaht kaq i madh u fundos në vetëm 60 sekonda. Disa vlerësime sugjerojnë se ekuipazhi i nënvlerësoi paralajmërimet për motin.
Kërkimi për trupat filloi disa orë pas aksidentit, me zhytës që punuan pa ndërprerje. Shefi i kuzhinës, Recaldo Tomas, u pa për herë të parë po atë pasdite. Në ditët në vijim, u gjetën trupat e Jonathan Bloomer, Chris Morvillo dhe grave të tyre. Michael Lynch dhe vajza e tij u gjetën të nesërmen.
Shtatorin e kaluar, autoritetet italiane kishin kërkuar rritje të sigurisë rreth rrënojave të anijes, duke shprehur frikën se materialet e vlefshme brenda kasafortave të papërshkueshme nga uji të anijes mund të ishin me interes për qeveritë e huaja.
Sipas raportimeve, dy hard disqe të vendosura në kasafortat e Bayesian konsiderohen të ndjeshme dhe kishte shqetësime se ato mund të binin në duar të gabuara.
Top Channel